Sharon Osbourne zbulon fjalët e fundit të Ozzy-t: Kur të më kujtoni, ndizeni muzikën me zë të lartë...

Një vit pas ndarjes nga jeta të ikonës së rock-ut, Ozzy Osbourne, bashkëshortja e tij Sharon ka ndarë kujtime prekëse për njeriun që qëndronte pas legjendës së muzikës, duke zbuluar edhe mënyrën se si ai dëshironte të mbahej mend nga publiku.
Në një intervistë për BBC Radio WM, Sharon foli për anën më personale të artistit, duke e përshkruar si një njeri të sinqertë, autentik dhe plot humor, që nuk kishte frikë të shprehte atë që mendonte.
Sipas saj, Ozzy nuk krijonte kurrë një imazh të rremë për publikun dhe pikërisht kjo ndershmëri ishte një nga arsyet pse miliona njerëz e donin.
Ajo kujtoi edhe jetën e tyre të përbashkët, duke rrëfyer se, edhe pse debatet mes tyre nuk mungonin, ato përfundonin pothuajse gjithmonë me të qeshura.
Ne ziheshim si çdo çift, por Ozzy kishte një aftësi të jashtëzakonshme për ta kthyer çdo situatë në humor. Në fund gjithmonë qeshnim-tregoi Sharon.
Duke folur për trashëgiminë që ai la pas, Sharon zbuloi edhe mesazhin që Ozzy do të donte t’u linte fansave të tij.
Kur të më kujtoni, thjesht ndizeni muzikën me zë të lartë dhe argëtohuni.
Për Sharonin, kjo fjali përmbledh më së miri filozofinë e jetës së bashkëshortit të saj, i cili gjithmonë besonte se muzika duhej të sillte gëzim dhe t’i bashkonte njerëzit.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se puna bamirëse e nisur pas koncertit të fundit të Ozzy Osbourne do të vazhdojë edhe në vitet në vijim.
Fondet e mbledhura do të përdoren për të mbështetur kërkimet shkencore për sëmundjen e Parkinsonit, si dhe organizata që ndihmojnë fëmijët dhe pacientët në nevojë.
Sharon zbuloi se kjo kauzë kishte një rëndësi të veçantë për Ozzyn, pasi ai kishte kaluar disa javë si fëmijë në spitalin e fëmijëve në Birmingham për shkak të një sëmundjeje, një përvojë që e kishte prekur gjatë gjithë jetës.
Për familjen Osbourne, kujtimi i artistit nuk lidhet vetëm me suksesin në skenë, por edhe me dëshirën e tij për të lënë pas një ndikim pozitiv përmes muzikës, humorit dhe ndihmës ndaj të tjerëve.

