Kriza familjare thellohet/ Edhe Zahara dhe Maddox kërkojnë të heqin mbiemrin Pitt nga emrat e tyre

Kriza familjare thellohet/ Edhe Zahara dhe Maddox kërkojnë të

Përçarja mes Brad Pitt dhe fëmijëve të tij duket se po thellohet. Pas vajzës së tij Shiloh, edhe Zahara dhe Maddox kanë nisur procedurat ligjore për të hequr mbiemrin Pitt nga emrat e tyre.

Sipas dokumenteve të depozituara në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë, Zahara Marley Jolie-Pitt, 21 vjeç, ka kërkuar që emri i saj të ndryshohet zyrtarisht në Zahara Marley Jolie, ndërsa Maddox, 24 vjeç, ka paraqitur një kërkesë të ngjashme për të hequr mbiemrin e babait. Të dy kanë deklaruar se vendimi është marrë për arsye personale.

Sipas procedurave ligjore në Kaliforni, Zahara dhe Maddox do të publikojnë njoftimin në gazetën Los Angeles Daily Journal një herë në javë për katër javë radhazi, duke i dhënë mundësi kujtdo që ka kundërshtime të paraqitet në gjykatë. Nëse nuk do të ketë kundërshtime, gjyqtari pritet të vendosë për kërkesën e Maddox në mesin e shtatorit, ndërsa për Zahara-n në fund të muajit.

Ky është zhvillimi më i fundit në marrëdhënien e tensionuar mes Brad Pitt dhe ish-bashkëshortes së tij Angelina Jolie, të cilët u ndanë në vitin 2016 pas dy vitesh martesë. Edhe pse divorci u finalizua në fund të vitit 2024, ata vazhdojnë të përballen në gjykatë për çështje që lidhen me pronën e tyre të përbashkët, kantinën franceze të verës Château Miraval.

Brad Pitt dhe Angelina Jolie kanë gjashtë fëmijë: Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakët Knox e Vivienne. Në vitin 2024, edhe Shiloh kërkoi zyrtarisht të hiqte mbiemrin Pitt, ndërsa Vivienne u prezantua si Vivienne Jolie në materialet e muzikalit "The Outsiders".

Përplasja mes ish-çiftit lidhet edhe me incidentin e ndodhur në vitin 2016 gjatë një fluturimi privat nga Franca drejt SHBA-së. Sipas dokumenteve të FBI-së, të publikuara vite më vonë, Angelina Jolie akuzoi Brad Pitt për dhunë fizike ndaj saj dhe sjellje abuzive ndaj fëmijëve gjatë udhëtimit.

Pitt u hetua për rastin, por nuk u arrestua dhe nuk u ngritën akuza penale ndaj tij.Në vitin 2022, Jolie pretendoi në një kundërpadi se Pitt kishte kapur një nga fëmijët për fyti dhe kishte goditur një tjetër në fytyrë gjatë incidentit. Në atë kohë, përfaqësuesit e aktorit deklaruan se ai merr përgjegjësi për gabimet e tij, por jo për akuza që, sipas tyre, nuk janë të vërteta.

EMISIONET