Diddy përfundon në izolim pas përplasjes në burg / Reperi përballet me pasoja për incidentin me një të dënuar tjetër

Sean “Diddy” Combs është vendosur në izolim në një burg federal në New Jersey, pasi raportohet se është përfshirë në një përplasje me një të burgosur tjetër.
Sipas mediave amerikane, incidenti ndodhi gjatë kësaj jave, kur një i burgosur tjetër e ka ofenduar reperin, duke shkaktuar një përballje mes tyre.
Pas ngjarjes, autoritetet e burgut kanë vendosur Diddyn në izolim, ndërsa ende nuk është konfirmuar nëse ai vazhdon të qëndrojë në këtë regjim.
Incidenti mund të ndikojë edhe në statusin e tij gjatë vuajtjes së dënimit, pasi sjellja e të dënuarve merret parasysh për përfitime të mundshme dhe kohën e lirimit.
Diddy aktualisht po vuan një dënim prej më shumë se katër vitesh burg për dy vepra penale që lidhen me prostitucionin dhe, sipas planifikimeve aktuale, pritet të lirohet në shkurt të vitit 2028.
Megjithatë, nëse autoritetet e konsiderojnë përplasjen si shkelje të rregullave të burgut, periudha e qëndrimit të tij pas hekurave mund të ndryshojë.


