Marius Gjika, fitues i medaljes së argjendtë në olimpiadën e matematikës në Pekin

Nxënësi i talentuar në matematikë Marius Gjika ka fituar medaljen e argjendtë në olimpiadën e organizuar në kuadër të Kampit Ndërkombëtar Veror të Matematikës, në Pekin (Kinë).
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se “pas këtij suksesi, që na bën të gjithëve krenarë, ekipi shqiptar, i përbërë nga nxënësit me prirje të spikatura në matematikë dhe fituesit e Olimpiadës Kombëtare të Matematikës, është nisur drejt Shangait, për të marrë pjesë në Olimpiadën e 67-të Ndërkombëtare të Matematikës”.
Ekipi shqiptar IMO 2026 ndodhet në Pekin prej dy javësh, pjesëmarrës në kampin veror të trajnimit ndërkombëtar IMSC 2026 të matematikës.
Në këtë kamp morën pjesë rreth 400 nxënës nga ekipet përfaqësuese të rreth 50 vendeve të botës.
Ky kamp trajnimi është faza finale përgatitore para pjesëmarrjes në Olimpiadën Botërore të Matematikës IMO 2026.

