Bertrand Russell, një mendje brilante e një shpirti të dritur… në disa përkufizime të urta

Bertrand Russell, një mendje brilante e një shpirti të

Në përkufizimet e Bertrand Russellit gjejmë jo thjesht brilancën e një filozofi që zotëronte logjikën si mjeshtëri e gjuhës, por edhe ndjeshmërinë e rrallë të një shpirti që e përjetonte thellësisht njerëzoren. Fjala e tij është mendim i kristalizuar nga përvoja, vëzhgim dhe një empati që rrallë i jepet mendjes së ftohtë analitike. Ai ishte një njeri që dinte të mendonte përtej vetes dhe të ndjente përtej fjalës.

• Nëse do të kishte sot në botë një numër të madh njerëzish që dëshironin dhe përpiqeshin pareshtur për lumturinë e tyre, më shumë sesa të dëshironin fatkeqësinë e të tjerëve, ne do të mund të ishim të shpërblyer me një parajsë tokësore, absolutisht të merituar.

• I gjithë problemi me botën është se budallenjtë dhe fanatikët konservatorë, janë gjithmonë kaq të sigurt për veten dhe veprën e tyre, dhe njerëz e mençur, kanë kaq shumë dyshime dhe janë gjithnjë të pakënaqur nga ajo që bëjnë, edhe pse ata kurrë nuk i janë deficitar gjenialitetit, me të cilin i qasen të tashmes.

• Tri janë, pasionet e thjeshta, por jashtëzakonisht ndikuese, që kanë patur frerët e pushtetit të jetës sime: malli për dashuri, kërkimi ngulmues dhe pamjaftueshmëria me dijen dhe keqardhja e padurueshme për vuajtjet e shumta të njerëzve.

• Një jetë pa aventura, ka të ngjarë të jetë rutinore dhe e mërzitshme, pa larmi dhe eventualitet, por një jetë në të cilën aventura lejohet të marrë çfarëdo lloj forme dhe të përcaktojë identitetin tënd, thjeshtë kjo do të ishte një jetë e shkurtër, me shumë adrenalinë dhe pa asnjë vlerë.

• Ata, të cilët ishin aq fatkeq sa t’u privohej intimiteti i thellë përjetues dhe përfshirja e fortë në magjinë e dashurisë reciproke, kanë humbur gjënë më të shtrenjtë që jeta duhet tu jepte.

• Megalomani ndryshon prej narcizistit nga fakti se ai dëshiron të jetë i fuqishëm dhe ta dëshmojë këtë, në vend që të jetë simpatik dhe i adhuruar, dhe... kërkon të imponohet përmes frikës dhe jo përmes dashurisë. Këtij lloji i përkasin shumë të çmendur, dhe shumica prej tyre janë njerëzit e mëdhenj të historisë.

• Dashuria është shumë më tepër, sesa thjeshtë dëshira e zjarrtë për marrëdhënie seksuale. Për hir të së vërtetës, ajo, shpesh, për shumë burra dhe gra, është mjeti kryesor për të shpëtuar nga makthet e vetmisë, rrezik që merr nën kërcënim pjesën më të madhe të jetës së tyre, megjithatë i’a vlen të jetohet qoftë një moment i vetëm, për t’u ndjerë ende gjallë dhe për të gëzuar të jetosh ende. Mos kini frikë, vdekja në çdo rast do të jetë duke ju përgjuar, sapo ju të mos keni më arsye për të jetuar, nuk do t’u lërë të vuani.

Në këtë mozaik përkufizimesh, çdo thënie është si një dritare që hapet mbi një aspekt thelbësor të jetës, lumturinë dhe fatkeqësinë, dashurinë dhe vetminë, aventurën dhe kufijtë e saj, marrëdhënien mes diturisë dhe dyshimit, pushtetit dhe çmendurisë. Ai na jep të drejtën të mos turpërohemi nga pasiguritë tona dhe të mos ndalemi së kërkuari thelbin e gjërave, sado të dhimbshme apo të pakapshme të duken.

Russelli nuk na thërret të jemi të mëdhenj, por të jemi të vërtetë, nuk na mëson të arrijmë patjetër suksesin, por të mos e humbasim kurrë ndjeshmërinë ndaj vuajtjes, mungesës, të pathënës. Ai na kujton se, në fund, njeriu nuk matet me triumfet e tij, por me pasionet që e kanë mbajtur në jetë dhe me ndjenjat që e kanë bërë të mbijetojë.

Të lexosh Russellin do të thotë të pranosh se dija, nëse nuk shoqërohet me mëshirë, është vetëm një krenari boshe; se dashuria, edhe kur është e pamjaftueshme, është më e madhe se çdo ideologji ose pretendim madhështie. Dhe se, po, edhe kur bota të duket e çmendur dhe e padrejtë, mendimi i kthjellët dhe ndjeshmëria e thellë mund të mbeten armët më të fuqishme që një njeri i ndershëm ka në mbrojtje të vetes dhe të të tjerëve.

Në kohë cinizmi dhe retorike të zbrazët, Russelli është një zë i kthjellët që nuk mbaron së na ftuari të mendojmë, të ndiejmë, të dashurojmë, dhe të mos kemi frikë nga fundi, për sa kohë kemi ende një arsye për të jetuar. Dhe kjo arsye, shpesh, është vetëm të jesh njeri.

EMISIONET