TURIZMI NDRYSHON TREGUN IMOBILAR./ Fluksi në rritje po shton kërkesën për akomodim afatshkurtër

Rritja e vazhdueshme e numrit të turistëve në Shqipëri po ndryshon edhe dinamikën e tregut imobiliar. Apartamentet në zonat më të kërkuara po orientohen gjithnjë e më shumë drejt qirave ditore, ndërsa ekspertët e tregut thonë se, edhe pse ndikimi mbi qiratë mujore nuk është gjithmonë i drejtpërdrejtë, kërkesa në rritje për akomodim afatshkurtër po sjell ndryshime në ofertën e banesave.

Rritja e turizmit në Shqipëri ka sjellë ndryshime edhe në tregun imobiliar, veçanërisht në segmentin e apartamenteve me qira afatshkurtër.

Sipas agjentit imobiliar Xhonatan Seitaj, ndikimi i qirave ditore mbi qiratë mujore nuk është gjithmonë i drejtpërdrejtë, por në disa zona të caktuara ai ndihet qartë.

Megjithatë, Seitaj thekson se shumica e pronarëve vazhdojnë të preferojnë kontratat e qirasë afatgjatë.  Sipas tij, kjo formë u garanton më pak angazhim, më pak kosto mirëmbajtjeje dhe një të ardhur më të qëndrueshme.

Agjenti imobiliar vëren se kërkesa për apartamente me qira ditore është rritur nga viti në vit, në të njëjtën kohë me rritjen e numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë.

Ekspertët e tregut vlerësojnë se me rritjen e fluksit të turistëve, interesi për qiratë ditore pritet të mbetet i lartë, veçanërisht në zonat turistike dhe në qendrat e qyteteve, ndërsa qiratë afatgjata vijojnë të mbeten zgjedhja kryesore për një pjesë të madhe të pronarëve.

EMISIONET