Turistët në Shqipëri, Instat: Gjatë muajit maj pati 12.4 për qind më shumë

Turistët në Shqipëri, Instat: Gjatë muajit maj pati 12.4

Shqipëria vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë. Gjatë muajit maj, numri i turistëve që u akomoduan në strukturat turistike të vendit u rrit me 12.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të INSTAT. Rritjen më të madhe e shënuan vizitorët jorezidentë, të cilët u shtuan me 12.7%. Në total, 274.967 shtetas të huaj qëndruan në strukturat akomoduese në Shqipëri, kundrejt 243.985 që u regjistruan në muajin maj të vitit 2025. Në rritje rezultuan edhe vizitorët rezidentë, të cilët u shtuan me 11.4%, duke konfirmuar interesin në rritje për turizmin vendas.

Fluksi më i lartë i turistëve u pasqyrua edhe në rezervimet e hoteleve. Netët e qëndrimit në strukturat akomoduese u rritën me 8%, çka tregon një sezon pranveror më të ngarkuar për sektorin e turizmit.

Italianët mbeten grupi më i madh i turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë, të nxitur në masë të konsiderueshme nga turizmi dentar. Pas tyre renditen vizitorët nga Kosova, të cilët zgjedhin kryesisht bregdetin shqiptar për pushimet e muajit maj. Ndërkohë, turistët francezë dhe polakë po tregojnë interes në rritje për destinacionet malore dhe Alpet shqiptare.

Sa i përket shpërndarjes gjeografike të qëndrimeve, rajoni qendror, ku përfshihen Tirana dhe Elbasani, kryeson për numrin e netëve të kaluara nga vizitorët. Pas tij renditet rajoni verior, me qytete si Durrësi dhe Shkodra, ndërsa rajoni jugor regjistron më pak qëndrime gjatë muajit maj. Ekspertët e lidhin këtë prirje me temperaturat ende të ulëta të ujit në jug të vendit gjatë pranverës. Megjithatë, me nisjen e sezonit veror në qershor, pritet që destinacionet bregdetare të jugut të marrin peshën kryesore në turizmin shqiptar.

EMISIONET