Media amerikane “Quartz”: Shqipëria, destinacioni evropian ku cilësia tejkalon çmimin

Pushimet e ëndrrave nuk kërkojnë domosdoshmërisht një buxhet të madh.
Sipas revistës amerikane “Quartz”, duke zgjedhur destinacionin e duhur dhe periudhën jashtë pikut të sezonit, vizitorët mund të kursejnë ndjeshëm pa hequr dorë nga përvojat.
Në listën e 10 destinacioneve ndërkombëtare më të përballueshme, për këtë periudhë renditet edhe Shqipëria, e cila vlerësohet si një nga surprizat më të mëdha turistike të Evropës falë bregdetit, maleve dhe kostove të ulëta.
Shqipëria ofron plazhe në Adriatik e Jon dhe shtigje malore
Shqipëria po shndërrohet në një nga destinacionet evropiane kryesore, për pushime në për plazh dhe ecje në natyrë.
Vendi nuk është shndërruar ende, në një destinacion të turizmit masiv ndërkombëtar.
Kjo do të thotë se çmimet vazhdojnë të jenë dukshëm më të ulëta, se cilësia e përvojës që u ofron Shqipëria vizitorëve.
Riviera Shqiptare, përgjatë bregdetit të Jonit, me ujërat e saj të kristalta dhe fshatrat bregdetare, ende të paprekura nga turizmi masiv, ofron një përvojë të krahasueshme me ishujt grekë dhe brigjet italiane të Adriatikut, por me kosto shumë më të ulët.
Ndërkohë, në veri, Alpet Shqiptare – të njohura edhe si Bjeshkët e Nemuna – me shtigjet për ecje dhe çiklizëm malor, rivalizojnë Alpet për nga bukuria dhe peizazhet spektakolare.
Shqipëria spikat veçanërisht për kostot e ulëta gjatë qëndrimit. Akomodimet në “Airbnb” kushtojnë mesatarisht rreth 50 dollarë nata, dreka mund të gjenden për më pak se 10 dollarë, ndërsa mungesa e çmimeve “të fryra” turistike, që tashmë janë bërë të zakonshme në Greqi dhe Mal të Zi, e bën vendin një nga destinacionet më ekonomike në Evropë.
Edhe kryeqyteti, Tirana, ofron një përvojë të veçantë.
Arkitektura e periudhës komuniste është transformuar me fasada shumëngjyrëshe, falë një nisme të bashkisë, ndërsa baret, kafenetë dhe atmosfera e gjallë pasqyrojnë energjinë e një popullsie të re dhe kozmopolite, duke i dhënë qytetit një identitet kulturor, që ndryshon nga ai i zonave turistike të rivierës.
Deri në vitin 2025 nuk kishte fluturime direkte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë, por lidhjet me një ndalesë përmes Romës, Vjenës ose Stambollit e bëjnë udhëtimin relativisht të përballueshëm, me çmimin total të biletës vajtje-ardhje që zakonisht mbetet nën 1 000 dollarë.
Periudha e verës rekomandohet si koha më e mirë për ta vizituar vendin, pasi moti është ideal dhe sezoni i plazhit është në kulmin e tij.
Edhe pse numri i turistëve rritet gjatë kësaj periudhe, Shqipëria vazhdon të jetë shumë më pak e mbipopulluar, se destinacionet e tjera të njohura të Mesdheut.
Përtej bregdetit, vendi ofron edhe një trashëgimi të pasur historike.
Qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës, të përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ruajnë disa nga shembujt më të mirë të arkitekturës osmane në Ballkan, duke i shtuar udhëtimit, një dimension kulturor që plotëson në mënyrë ideale pushimet në rivierë. //a.i/
10 destinacionet më të përballueshme për pushime jashtë vendit këtë periudhë:
Tirana / Riviera Shqiptare, Shqipëri
Hanoi, Vietnam
Luang Prabang, Laos
Ishujt Grenadine, Shën Vinsent dhe Grenadines
Donegal, Irlandë
Tunisi, Tunizi
Grand Est, Francë
Jerevan, Armeni
Valparaiso, Kili
Panama Siti, Panama

