Kalon për në seancë plenare projektligji për kontrollet zyrtare në zinxhirin agroushqimor

Kalon për në seancë plenare projektligji për kontrollet

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural miratoi sot nen për nen projektligjin “Për kontrollet zyrtare dhe aktivitete të tjera zyrtare të kryera për të garantuar zbatimin e legjislacionit mbi ushqimin dhe ushqimin për kafshët, rregullimeve mbi shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, si dhe mbi shëndetin e bimëve dhe produkteve për mbrojtjen e bimëve në Republikën e Shqipërisë”.

Projektligji, i propozuar nga deputeti Saimir Hasalla dhe Këshilli i Ministrave, synon krijimin e një kuadri të ri ligjor për organizimin dhe kryerjen e kontrolleve zyrtare përgjatë të gjithë zinxhirit agroushqimor, duke përafruar legjislacionin shqiptar me standardet dhe rregulloret e Bashkimit Evropian.

Drejtoresha e Politikave për Mbrojtjen e Bimëve në MBZHR, Valdete Buca, tha se nisma vjen si pjesë e procesit të harmonizimit të legjislacionit me acquis të BE-së dhe krijon bazën për një sistem të integruar kontrolli, që mbulon sigurinë ushqimore, ushqimin për kafshët, shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, shëndetin e bimëve, si dhe produktet për mbrojtjen e bimëve.

Sipas saj, projektligji përcakton rregulla të reja për organizimin e kontrolleve zyrtare nga autoritetet kompetente, bazuar në analizën e riskut, me qëllim garantimin e respektimit të legjislacionit në çdo hallkë të zinxhirit të prodhimit, përpunimit, importit, eksportit dhe tregtimit të produkteve ushqimore dhe bujqësore.

Një nga risitë kryesore është vendosja e një sistemi të unifikuar kontrolli, i cili synon koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve përgjegjëse, rritjen e transparencës dhe gjurmueshmërisë së produkteve, si dhe forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe menaxhimin e rasteve që paraqesin rrezik për shëndetin publik.

Buca theksoi se, projektligji parashikon gjithashtu rregulla të qarta për marrjen e mostrave, analizat laboratorike, kontrollet në pikat kufitare, si dhe masat administrative që merren në rast të konstatimit të shkeljeve. Ai fuqizon kompetencat e autoriteteve përgjegjëse për të ndërhyrë në kohë dhe për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve.

Ajo vuri në dukje se, miratimi i këtij ligji do të ndikojë në rritjen e besueshmërisë së sistemit të sigurisë ushqimore në vend, do të lehtësojë qarkullimin e produkteve shqiptare në tregjet e Bashkimit Evropian dhe do të kontribuojë në përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, veçanërisht për kapitujt që lidhen me bujqësinë, sigurinë ushqimore dhe politikat veterinare e fitosanitare.

Pas shqyrtimit Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural e miratoi projektligjin nen për nen, duke i hapur rrugë shqyrtimit dhe votimit të tij në seancë plenare të Kuvendit.

EMISIONET