Zjarr i qëllimshëm në Novoselë/ Digjen traversat e vjetra të hekurudhës dhe mbulohet zona nga tymi i dendur

Një zjarr i dyshuar si i qëllimshëm ka përfshirë një grumbull traversash të vjetra druri të hequra nga hekurudha në Novoselë, duke shkaktuar një re të madhe tymi që u përhap në Njësinë Administrative Novoselë dhe në fshatrat përreth.
Sipas informacioneve paraprake, flakët janë vendosur qëllimisht në grumbullin e traversave, të cilat dikur kanë shërbyer si pjesë e infrastrukturës hekurudhore. Djegia e tyre prodhoi tym të zi dhe të dendur, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.
Në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse, të cilat punuan për vënien nën kontroll të flakëve dhe normalizimin e situatës.
Autoritetet kanë nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët e dyshuar të zjarrvënies. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar.

