Polonia ndalon telefonat në shkolla dhe forcon kontrollin e aksesit në p.....

Qeveria e Polonisë ka njoftuar se nga 1 shtatori 2026 do të ndalojë përdorimin e telefonave celularë në shkolla për nxënësit nën moshën 16 vjeç dhe do të vendosë rregulla më të rrepta për verifikimin e moshës në faqet me përmbajtje pornografike, sipas Reuters.
Kryeministri Donald Tusk tha se projektligji do t’u ndalojë fëmijëve të moshës 7-15 vjeç përdorimin e telefonave në ambientet e shkollës, përfshirë edhe pushimet mes orëve të mësimit. Shkollat do të kenë gjithashtu bazë ligjore për të krijuar vende të posaçme ku telefonat mund të depozitohen gjatë ditës shkollore.
“Po përballemi me një problem civilizues të varësisë nga platformat dixhitale, lojërat dhe rrjetet sociale, veçanërisht tek më të rinjtë. Kjo mund të ketë pasoja të rënda për jetën e fëmijëve dhe për shoqërinë”, deklaroi Tusk.
Një projektligj i veçantë, i propozuar nga Ministria e Çështjeve Dixhitale, synon të kufizojë aksesin e fëmijëve në materialet pornografike. Sipas qeverisë, sistemet e verifikimit të moshës nuk do të mund të bazohen në deklarimin e thjeshtë të moshës, në të dhëna biometrike apo në monitorimin e aktivitetit online të përdoruesve, por do të duhet të respektojnë rregullat e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Në muajin shkurt, ministrja e Arsimit Barbara Nowacka kishte paraqitur gjithashtu plane për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 15 vjeç.
Polonia i bashkohet një numri vendesh si Holanda, Italia dhe Koreja e Jugut, të cilat kanë vendosur kufizime ndaj telefonave inteligjentë në shkolla për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e tyre në përqendrimin, sjelljen dhe shëndetin mendor të nxënësve.
Ndërkohë, kompanitë e teknologjisë argumentojnë se problemi nuk qëndron te pajisjet vetë, por te mënyra e përdorimit të tyre, duke theksuar përfitimet e telefonave për mësimin, komunikimin dhe sigurinë.


