“INTEGRIMI GRADUAL” NË BE/ Politico: Komisioni Evropian përgatit planin për vendet kandidate
Komisioni Evropian po harton një plan për integrimin gradual të vendeve kandidate, duke u ofruar përfitime ekonomike dhe akses të pjesshëm në tregun e BE-së para se të bëhen anëtarë me të drejta të plota . Ideja synon të shpërblejë reformat e secilit shtet dhe të përshpejtojë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian po hedh hapa konkretë drejt modelit të integrimit gradual të vendeve kandidate, një ide e propozuar fillimisht nga Franca dhe Gjermania.
Politico. EU raporton se Komisioni Evropian po përgatit një plan që do t'u japë vendeve aspirante përfitime ekonomike dhe institucionale përpara anëtarësimit të plotë, si një mënyrë për të përshpejtuar reformat dhe për t'i mbajtur ato të angazhuara në procesin e zgjerimit.
Burime të BE-së bëjnë të ditur se paketa në diskutim përfshin akses në disa programe financimi të Bashkimit Evropian, marrëveshje tregtare preferenciale dhe hyrje të pjesshme në tregun e vetëm evropian.
Përfitimet nuk do të jenë të njëjta për të gjitha vendet, por do të përshtaten sipas progresit që secili kandidat arrin në zbatimin e reformave dhe përafrimin me legjislacionin evropian.
Qëllimi i kësaj qasjeje është t'u japë vendeve kandidate stimuj konkretë për të vijuar reformat, edhe nëse anëtarësimi i plotë mbetet disa vite larg.
Sipas eurodeputetit lituanez Petras Auštrevičius, raportues për strategjinë e zgjerimit të Parlamentit Evropian, integrimi ekonomik duhet të ecë paralelisht me procesin politik, duke zbatuar parimin "më shumë për më shumë", ku vendet që avancojnë më shpejt përfitojnë më shumë.
Komisioni Evropian pritet t'u kërkojë shteteve anëtare mbështetje për këtë nismë, me synimin që liderët e BE-së të miratojnë një kornizë të re gjatë mbledhjeve të Këshillit Evropian në tetor ose dhjetor.
Nëse plani miratohet, ai do të shënojë një ndryshim të rëndësishëm nga modeli aktual, ku shumica e përfitimeve rezervohen vetëm për vendet anëtare.
Përmes këtij mekanizmi, Bashkimi Evropian synon të afrojë më herët vendet aspirante me strukturat e tij, duke forcuar njëkohësisht procesin e zgjerimit dhe objektivat e tij gjeostrategjikë pas asaj që diplomatët e konsiderojnë një "dekadë të humbur" në këtë proces.

