Gjermania dhe Franca thellojnë bashkëpunimin për parandalimin bërthamor

Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron po avancojnë bashkëpunimin mes dy vendeve, në fushën e parandalimit bërthamor, ndërsa Gjermania do të marrë pjesë për herë të parë, në manovrat franceze që lidhen me kapacitetet bërthamore.
Këshilli Gjermano-Francez për Mbrojtjen dhe Sigurinë u mblodh sot në bazën ajrore ushtarake “Nörvenich”, pranë Këlnit, për të miratuar zyrtarisht pjesëmarrjen e ardhshme të Gjermanisë në manovrat franceze të parandalimit bërthamor.
Në takim morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të të dy vendeve.
Mbledhja u zhvillua pranë dy avionëve luftarakë francezë “Rafale” dhe dy avionëve gjermanë “Eurofighter”. Avionët “Rafale” janë të projektuar për të mbajtur armë bërthamore.
Furnizimi me karburant në ajër, manovra e parë e përbashkët
Avionët luftarakë morën pjesë dje në një manovër ushtarake, e cila shënoi fillimin praktik të bashkëpunimit bërthamor mes dy vendeve.
Avionët u furnizuan me karburant nga një avion-cisternë francez, gjatë fluturimit në hapësirën ajrore të Francës. Manovra zgjati më pak se dy orë.
Macron propozoi disa vite më parë, që partnerët evropianë të mbështeteshin te “ombrella bërthamore” e Francës, në rast të një kërcënimi.
Franca është i vetmi vend në Evropën Perëndimore, përveç Britanisë së Madhe, që zotëron armë bërthamore.
Aktualisht, në Gjermani janë të vendosura bomba bërthamore amerikane, në kuadër të strategjisë së parandalimit bërthamor të NATO-s, ndërsa ushtria gjermane siguron avionët luftarakë, që mund të përdoren për transportin e tyre në rast nevoje.
Bashkëpunimi me Francën synon të plotësojë dhe të forcojë mbrojtjen bërthamore të NATO-s, jo ta zëvendësojë atë.
Nëntë vende kërkojnë bashkëpunim me Francën
Franca ka arritur gjithashtu një marrëveshje bashkëpunimi bërthamor me Britaninë e Madhe, një tjetër fuqi bërthamore.
Shtatë vende të tjera evropiane i janë përgjigjur pozitivisht ofertës franceze për bashkëpunim: Polonia, Holanda, Belgjika, Greqia, Suedia, Danimarka dhe Norvegjia.


