FLAKËT “DJEGIN” EVROPËN/ Vala e të nxehtit përkeqëson zjarret në Francë dhe Spanjë
Franca dhe Spanja po përballen me një valë të re të nxehti që po ushqen zjarret masive. Mbi 320 mijë persona janë evakuuar në të dy vendet, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se ditët në vijim do të jenë vendimtare për frenimin e flakëve.

Franca dhe Spanja po përjetojnë një nga verat më të vështira të viteve të fundit. Temperaturat pritet të kalojnë 40 gradë Celsius në disa rajone, ndërsa vala e të nxehtit po favorizon përhapjen e zjarreve të mëdha pyjore.
Në Francën jugperëndimore, situata është kritike në rajonin Gironde, ku flakët kanë mbërritur vetëm 15 kilometra larg qytetit të Bordeaux-it. Autoritetet lokale po përgatiten për evakuime të tjera, ndërsa kryebashkiaku i qytetit thotë se janë marrë masa për të strehuar mijëra banorë në rast se zjarri avancon.
Presidenti Emmanuel Macron e ka cilësuar këtë si zjarrin më të rëndë që ka përjetuar Franca që nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas autoriteteve, deri tani janë djegur mbi 116 mijë hektarë tokë, ndërsa mijëra zjarrfikës vazhdojnë betejën me flakët, të cilat përshkruhen si jashtëzakonisht të paparashikueshme.
Edhe Spanja mbetet në emergjencë kombëtare. Në perëndim të Madridit, zjarret kanë përfshirë më shumë se 27 mijë hektarë, ndërsa autoritetet i konsiderojnë ndër më shkatërruesit në historinë e rajonit. Pamjet satelitore tregojnë se disa vatra të veçanta janë bashkuar në një front të vetëm zjarri.
Deri më tani, rreth 220 mijë persona janë evakuuar në Francë dhe mbi 100 mijë në Spanjë. Autoritetet franceze bëjnë të ditur se shumica e zjarreve shkaktohen nga pakujdesia njerëzore, por një pjesë e tyre dyshohet se janë të qëllimshme.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive, duke rritur ndjeshëm edhe rrezikun e zjarreve në gjithë Evropën.

