Dronët ukrainas intensifikojnë sulmet në Rusi

Dronë ukrainas si këta po shfaqen gjithnjë e më shumë në qiejt e Rusisë, duke krijuar përshtypjen se tani lufta po zhvendoset në krahun tjetër të kufirit.
Mbrëmjen e së enjtes, Ukraina ndërmori një nga sulmet më të mëdha që nga fillimi i luftës, duke dërguar qindra mjete fluturuese pa pilot drejt territorit rus. Mbrojtja ajrore rrëzoi 660 dronë ukrainas në më shumë se dhjetë rajone, përfshirë gadishullin e Krimesë dhe të paktën 47 dronë që po fluturonin drejt kryeqytetit rus.
Pavarësisht pretendimeve të Kremlinit për rrëzime pa dëme madhore, sulmet kanë goditur rëndë infrastrukturën energjetike ruse, siç ishte rasti i rafinerisë së naftës në juglindje të Moskës që u përfshi nga flakët gjigante.
Analistët ushtarakë mendojnë se kjo fushatë e re intensive po e kthen situatën e luftës në favor të ukrainasve, duke e goditur Rusinë te burimet e financimit të luftës.
Sipas presidentit Volodymyr Zelensky, kjo valë sulmesh ka për qëllim të ushtrojë presion dhe të detyrojë Rusinë të ulet në bisedime paqeje për fundin e luftës. Si pasojë e këtij presioni në rritje, Moska ka shtuar së fundmi thirrjet dhe kërkesat për rinisjen e dialogut.

