Djathëra bebash dhe qumësht i skaduar në treg/ Stafa: Ja si po mashtrohet konsumatori
Një alarm i vërtetë për sigurinë ushqimore është ngritur pas zbulimit të disa rasteve të shitjes së produkteve të skaduara nëpër markete, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve. Nga muaji janar deri në mesin e shkurtit, janë regjistruar rreth 16 ankesa për produkte të rrezikshme ushqimore në qytete si Berati, Elbasani dhe Velipoja, ku rastet tashmë janë nën hetim nga autoritetet.
Ndër produktet më shqetësuese të denoncuara janë ato të destinuara për fëmijët dhe foshnjat, përfshirë qumështin e ambalazhuar, kosin e frutave dhe madje edhe djathin e bebeve.
Etiketat e skaduara janë bërë kaq të vështira për t'u dalluar, saqë edhe ekspertët e fushës mund të bien pre e këtyre neglizhencave.
Një rast i tillë u raportua në studion e lajmeve të "Ora News" nga Hasan Stafa, i cili pasi kishte blerë një pije me kanaçe në një market, kishte mësuar nga nipi i tij në shtëpi se produkti e kishte kaluar datën e skadencës.
" I kthen ato në produkte të rrezikshme. Ne kemi rreth 16 ankesa duke filluar nga janari dhe mesi i shkurtit.
Në raste, një rast në Berat, një rast i Elbasanit dhe rasti i Velipojës. Bëhet fjalë që ne të ndërhyjmë, të denoncojmë shpejt, të ndërhyjmë për të treguar, nuk po e them për arsye konfidencialiteti sepse rastet po hetohen.
Por ama, raste të cilat ne i kemi parandaluar në momentet e para duke shtuar sigurinë për konsumatorin, por natyrisht duhet të ishte bërë kontrolli paraprak i këtyre produkteve.
Po kryesisht janë në produkte të skaduara. Pra të skaduara, duke filluar me qumështi i paketuar apo qumështi i ambalazhuar që ne i themi, kosi i frutave, produkte të tjera pastaj që janë këto djathërat e bebeve.Po, kemi pasur raste që e ka skaduar data. Është e vështirë, konsumatori nuk e dallon dot.
Edhe unë që jam ekspert e kam shumë të vështirë për ta parë. Ose kam pasur unë, kam pasur raste që kam çuar një pije nga këto me kanaçe, e kam blerë tek një market, e kam çuar në shtëpi dhe nipi më ka thënë: 'gjysh, kjo gjëja ka skaduar'. Në ato momente e ka parë dhe nuk e ka përdorur.
Pra deri aty, dhe unë duke krijuar një besim të tepruar te X market, duke menduar se është e kontrolluar nga autoritetet e ushqimit në zonat e caktuara aty ku unë isha, por natyrisht unë u ndesha me fenomenin drejtpërdrejt.
Pra, unë që pretendoj dhe punoj për të mbrojtur konsumatorin rreth 30 vite. Po konsumatori i thjeshtë që nuk i ka informacionet e duhura? Dikush e sheh, e lexon, dikush nuk e lexon.Absolutisht mirë është të përqendrohesh, të kesh vëmendjen e plotë, të vendosësh çfarë do blesh paraprakisht kur del nga shtëpia, dhe për secilin produkt që ke për të blerë është mirë ta verifikosh dhe ta shikosh këtë problematikë.Marketi e ka detyrim institucional, detyrim ligjor," u shpreh Hasan Stafa.
Ndiqni intervistën e plotë:

