Nga stadiumi te salloni i bukurisë, tifozët paguajnë 100 dollarë për manikyr me flamujt e Botërorit!

Ethet e Kupës së Botës kanë mbërritur edhe në sallonet e bukurisë. Një sallon në Miami po u ofron tifozëve të futbollit një mënyrë të veçantë për të shprehur mbështetjen ndaj skuadrave të tyre të preferuara, duke pikturuar flamujt kombëtarë në thonjtë e duarve dhe të këmbëve.
Shërbimi, i cili kushton rreth 100 dollarë, ka tërhequr një numër të madh klientësh që rezervojnë takime përpara se të ndjekin ndeshjet në stadiume apo në fanzona, duke zgjedhur të mbajnë simbolin e kombëtares së tyre gjithmonë pranë.
Mes klientëve ishte edhe artistja 28-vjeçare nga Miami, Kamila Buttle, një tifoze e zjarrtë e Lionel Messit, e cila vendosi të zbukurojë thonjtë me flamurin argjentinas.
“Meqë nuk mund ta vesh gjithmonë fanellën time, më duhej të kisha diçka që ta mbaj gjithmonë me vete”, u shpreh ajo.
Pronarja e sallonit, Rita Pinto, tha se kërkesat më të shumta janë për flamujt e Brazilit, Argjentinës dhe Portugalisë, duke theksuar se komuniteti amerikano-latin përbën pjesën më të madhe të klientelës. Ndërkohë, dega e sallonit në Nju Jork raportoi një interes të lartë për flamurin japonez.
Miami, një nga qytetet pritëse të Kupës së Botës, do të presë shtatë ndeshje në stadiumin “Hard Rock”, duke e kthyer qytetin në një nga qendrat kryesore të atmosferës festive të turneut.

