BOTËRORI, KOHA E VERDIKTEVE! Brazili kërkon kualifikimin, Meksika dhe Kanadaja duel për kreun
Sonte nis raundi i tretë i fazës së grupeve në kupën e botës. Brazili kërkon të vulosë kualifikimin ndaj Skocisë, ndërsa Zvicra dhe Kanadaja do të ndeshen për kreun e grupit. Nga ana tjetër, Çekia luan shansin e fundit për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit në fazën tjetër.

Kupa e Botës 2026 vazhdon sonte dhe nesër në orët e para të mëngjesit me gjashtë ndeshje të raundit të tretë të fazës së grupeve, ku do të mësohen emrat e tjerë të skuadrave që do të sigurojnë një vend në fazën me eliminim direkt. Në program janë takimet e grupeve A, B dhe C, me disa përballje që pritet të jenë vendimtare për fatin e ekipeve.
Vëmendja më e madhe do të jetë te Brazili, i cili përballet me Skocinë në një duel ku "Seleçao" synon të vulosë kualifikimin dhe të konfirmojë statusin e një prej favoriteve të turneut.
Skocia, nga ana tjetër, ka nevojë për rezultat pozitiv për të mbajtur gjallë shpresat për kalimin në raundin tjetër. Në këtë përballje pritet edhe rikthimi i Nejmar, pasi ditët e fundit, ai është stërvitur me ekipin. Sfida do të luhet në orën 12 pas mesnate.
Në të njëjtën orë do të luhet edhe ndeshja tjetër e Grupit C, Maroku ndaj Haitit, me afrikanët që gjithashtu kërkojnë tri pikë për të mos rrezikuar eliminimin.
Edhe në Grupin B pritet spektakël. Kanadaja, e mbështetur nga tifozët vendas, do të ketë përballë Zvicrën në një ndeshje që mund të vendosë fituesin e grupit. Sfida do të luhet sonte në orën 21:00. Në të njëjtën kohë, Bosnja dhe Hercegovina do të luajë kundër Katarit, me objektivin për të siguruar një rezultat që e mban në garë për kualifikim.
Në orët e para të mëngjesit, radha do t'i vijë edhe Grupit A. Meksika do të përballet me Çekinë. Vendasit e kanë siguruar kualifikim, ndërsa çekët, i mban në lojë vetëm fitorja. Përballja do të luhet në orën 3 të mëngjesit të së enjtes. Në sfidën tjetër të këtij grupi, Koreja e Jugut do të masë forcat me Afrikën e Jugut.


