LeBron James "trondit" NBA-n, largohet nga Lakers dhe transferohet te Philadelphia 76ers

Shumica e njerëzve u kushtojnë pak vëmendje këmbëve derisa të shfaqet dhimbja. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet në pamjen apo ndjesinë e tyre mund të jenë sinjali i parë i problemeve shëndetësore që prekin jo vetëm këmbët, por edhe zemrën, qarkullimin e gjakut, gjëndrën tiroide apo sistemin nervor.
Me ardhjen e verës dhe përdorimin më të shpeshtë të sandaleve apo shapkave, këto ndryshime bëhen më të dukshme.
Sipas podiatristes Emma McConnachie nga Kolegji Mbretëror i Mjekëve Podiatrikë (RCP) në Mbretërinë e Bashkuar, kontrolli i rregullt i këmbëve mund të ndihmojë në zbulimin e hershëm të problemeve shëndetësore.
Ne të gjithë duhet t’i kontrollojmë këmbët rregullisht. Dhimbja, shqetësimi ose çdo ndryshim mund të jetë treguesi i parë se diçka më serioze po ndodh në trup-thotë ajo.
Këmbët e fryra mund të sinjalizojnë probleme me zemrën?
Ënjtja e këmbëve, e njohur si edemë periferike, është e zakonshme gjatë motit të nxehtë, shtatzënisë ose pas qëndrimit të gjatë ulur apo në këmbë. Edhe konsumimi i tepërt i kripës mund ta përkeqësojë situatën.
Megjithatë, nëse ënjtja shfaqet papritur, është e theksuar, e dhimbshme ose nuk largohet pas disa ditësh, ajo mund të jetë shenjë e problemeve me qarkullimin e gjakut, presionin e lartë, zemrën, veshkat ose mëlçinë dhe kërkon vlerësim mjekësor.
Thonjtë mund të zbulojnë sëmundje autoimune?
Thonjtë që trashen, marrin ngjyrë të verdhë ose krijojnë gropëza nuk tregojnë gjithmonë një infeksion mykotik.
Ekspertët shpjegojnë se këto ndryshime mund të lidhen me psoriazën e thonjve, një sëmundje autoimune që prek lëkurën dhe thonjtë, por mund të jetë edhe shenjë e hershme e artritit psoriatik. Nëse thoi fillon të shkëputet nga baza e tij, rekomandohet konsultimi me mjekun.
Dhimbja e gishtit të madh nuk duhet nënvlerësuar?
Gishti i madh i këmbës mban një pjesë të madhe të peshës së trupit gjatë ecjes.
Nëse dhimbja shfaqet papritur dhe është shumë e fortë, mund të bëhet fjalë për podagrën (gutën), një formë artriti që shkaktohet nga grumbullimi i acidit urik në gjak.
Sulmet mund të zgjasin deri në dy javë dhe, nëse nuk trajtohen, mund të dëmtojnë përfundimisht nyjën.
Nga ana tjetër, dhimbja dhe ngurtësia që shfaqen gradualisht, sidomos në mëngjes, mund të jenë shenjë e hallux rigidus, një formë artriti që prek nyjën e gishtit të madh.
Ndjesia e shpimit në gishta mund të lidhet me nervat?
Mpirja e përkohshme shpesh shkaktohet nga këpucët e ngushta ose qëndrimi për një kohë të gjatë në të njëjtin pozicion.
Por nëse ndjesia e shpimit përsëritet vazhdimisht, ajo mund të tregojë probleme si neuroma e Mortonit, sindroma e tunelit tarsal ose mungesë të vitaminës B12, e cila mund të dëmtojë funksionin e nervave.
Këmbët vazhdimisht të ftohta nuk janë gjithmonë normale?
Nëse këmbët mbeten të ftohta edhe gjatë verës, kjo mund të jetë shenjë e sindromës Raynaud, një gjendje që kufizon rrjedhjen e gjakut drejt gjymtyrëve.
Gjithashtu, këmbët e ftohta mund të lidhen me hipotiroidizmin, pra funksionimin e dobët të gjëndrës tiroide. Kur prodhohen më pak hormone tiroide, metabolizmi ngadalësohet dhe qarkullimi i gjakut në duar dhe këmbë dobësohet.
Ekspertët theksojnë se shumica e ndryshimeve në këmbë nuk janë domosdoshmërisht alarmante, por kur ato janë të vazhdueshme, shoqërohen me dhimbje ose shfaqen papritur, nuk duhen neglizhuar. Një kontroll i hershëm mjekësor mund të ndihmojë në zbulimin dhe trajtimin në kohë të problemeve më serioze shëndetësore.

