Supremja refuzon të gjitha ankesat, i hapet rruga certifikimit të rezultatit zgjedhor

Gjykata Supreme i ka hedhur poshtë të gjitha ankesat lidhur me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, duke hapur rrugën për certifikimin e tyre zyrtar dhe nisjen e procesit të themelimit të institucioneve të reja për t’i dhënë krizës pothuajse dyvjeçare politike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mblidhet të mërkurën paradite për ta bërë certifikimin e rezultateve, njoftoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i komisionit, Valmir Elezi.
“Në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor. Mbledhja është caktuar pas vendosjes nga Gjykata Supreme për ankesat e paraqitura në këtë institucion”, tha Elezi.
Ato do të certifikohen gati dy javë pasi KQZ-ja i shpalli rezultatet përfundimtare.
Sipas rezultateve përfundimtare, partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), i ka fituar 47.13% të votave, apo 53 vende në Kuvendin me 120 sosh.
Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka fituar 19.44%, apo 22 ulëse; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 16.69% , apo 18 ulëse; dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6.74%, apo shtatë ulëse.
Çfarë ndodh tani?
Tani që u hodhën poshtë ankesat, komisioni zgjedhor do t’i certifikojë rezultatet nesër deri në mesditë, duke i hapur rrugën nisjes së procesit të themelimit të institucioneve të reja.
Nga praktikat e kaluara, seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është thirrur zakonisht rreth tri ditë pas certifikimit të rezultateve.
Duke parë numrin e ulëse të fituara, partia në pushtet nuk pritet ta ketë telash formimin e Qeverisë, për çka nevojiten 61 vota në Kuvendin me 120 ulëse.
Por, ajo nuk do t’i ketë votat për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, një çështje që ka shkaktuar krizë politike këtë vit.
Nevojitet prania e 2/3 të deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
Dështimi i partive për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit çoi në shpërndarjen e Kuvendit në fund të prillit – më pak se tre muaj pas konstituimit të tij – dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 7 qershor.
Deri tani partitë politike nuk kanë mbajtur bisedime për një marrëveshje të mundshme për presidentin.
Një dështim i radhës për të arritur pajtueshmëri për këtë post kryesisht ceremonial, mund të çojë në një palë zgjedhjesh të tjera të parakohshme – që do të ishin të katërta brenda dy vjetësh. /REL


