Albin Kurti përshëndet arrestimet për Reçakun: Deri më 2020-ën askush s’u mor me këtë

Albin Kurti përshëndet arrestimet për Reçakun: Deri

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përgëzuar institucionet e vendit për arrestimin e ish-pjesëtarëve të Policisë së Serbisë për Masakrën e Reçakut.

Kurti tha se arrestimet u bënë pas një hetimi prej 6 muajsh, por u shpreh se nuk mund të mos vihet në fokus fakti se deri në vitin 2020 askush nuk është marrë me këtë rast.

“Afër 27 vjet e gjysmë pas Masakrës së Reçakut janë arrestuar pesë ish-pjesëtarë të Policisë së Serbisë. Përderisa në njërën anë përgëzojmë institucionet për arrestimin e të dyshuarve, pas siç u tha një hetimi prej 6 muajsh, nuk mund të vëmë në spikamë faktin se deri në vitin 2020 askush nuk është marrë me këtë rast.

Rrjedhimisht, nga mijëra lëndë të trashëguara nga EULEX-i, asnjëra s’ishte për Masakrën e Reçakut. Në njërën anë kemi arrestim pas gjashtë muajsh hetim, e në anën tjetër kemi më shumë se dy dekada dështim apo kurrfarë përpjekjesh për ndjekjen e përgjegjësve dhe zero angazhim për drejtësi lidhur me këtë rast”, tha Kurti.

Kurti u shpreh se derisa po i afrohemi tri dekadave nga lufta e fundit, dëshmitarët po plaken dhe se është e domosdoshme që hetimet e gjykimet për krimet e kryera gjatë luftës të marrin hov e ritëm të shtuar.

“Derisa po i afrohemi tri dekadave nga lufta e fundit, dëshmitarët po plakën e jo pak edhe kanë vdekur. Andaj është e domosdoshme që hetimet e gjykimet për krimet e kryera gjatë luftës të marrin hov e ritëm të shtuar. Si qeveri, jemi gjithnjë të interesuar, angazhuar e përkushtuar të ndihmojmë në këtë drejtim”, tha Kurti.

EMISIONET