1.5 MILIARDË EURO PËR RILINDJEN 2.0/ Programi synon modernizimin e shërbimeve dhe përafrimin me BE-në
Qeveria prezantoi programin kombëtar “Rilindja 2.0”, me një fond prej 1.5 miliardë eurosh për modernizimin e transportit, infrastrukturës urbane dhe mbështetjen e biznesit. Kryeministri Edi Rama tha se synimi është rritja e cilësisë së jetës dhe përafrimi i standardeve me Bashkimin Evropian
1.5 miliardë euro do të jenë në dispozicion të programit Kombëtar, Rilindja 2.0, që synon modernizimin e shërbimeve, në kuadër të antarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të këtij programi, theksoi se vendi duhet të investojë në transport modern, infrastrukturë urbane dhe mbështetje për bizneset, për t’iu përgjigjur rritjes së turizmit.
Rama: Do krijojmë një kompani të përbashkët me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe bashkive për të furnizuar bashkitë, duke nisur me ato që kanë fluksin më të madh të turistëve, me autobusë të një gjenerate të re. Autobusë elektrikë që do të duhet të plotësojnë shumë nevoja të rritura sidomos gjatë sezonit.
E përballë një fluksi në rritje turistësh për vendin tonë, imediate janë vendet e parkimeve.
Rama: Nuk mundet më që ne të mos hyjmë në një fazë komplet të re të ndërtimit të parkimeve në qytete, nëntokësore, mbitokësore me të gjitha ato formula që u paraqitën këtu.
Kryeministri theksoi edhe nevojë për mbështetjen e bizneseve të vogla, në kuadër edhe të këtij programi.
Rama: Gjithçka do të bëjmë me ekonominë, në sensin e fuqizimit të subjekteve vendore, tek programi për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme me garanci sovrane.
Shqetësimeve të qytetarëve, përballë asaj që kryeministri e konsideron përmirësim i vazhdueshëm i jetesë, u dha një emërtim.
Rama: Sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy si e papranueshme ajo që mungon. Kjo nuk është mosmirënjohje, është pritshmëri për standarde të tjera.
Sipas numrit një të maxhorancës, Shqipëria ka njohur zhvillim duke e nxjerrë vendin nga lista e vendeve të varfëra, por jo pa të varfër, e për këtë kërkoi më shumë punë.
Rama: Rilindja 2.0 është të ndërtojmë cilësi, jo vetëm infrastrukturë, cilësi jete, bashkëjetese.

