KLSH evidenton shkelje në ISUV/ Vangjeli: Administrata është politizuar, Rama duhet të largohet
PD ka reaguar pas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), duke e cilësuar atë si provë të shkeljeve serioze në administratën publike dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, tha se gjetjet e KLSH-së tregojnë një problem të thellë në funksionimin e institucioneve shtetërore dhe në mënyrën e administrimit të fondeve publike.
Sipas raportit të KLSH-së, gjatë auditimit në ISUV janë konstatuar një sërë shkeljesh, për të cilat janë rekomanduar 16 masa organizative, 2 masa për shpërblim dëmi, 4 masa për eliminimin e efekteve negative në administrimin e fondeve publike dhe 23 masa disiplinore ndaj punonjësve të institucionit.
PD ndalet edhe te procedurat e tenderimit, ku sipas raportit rezulton se në komisionin e vlerësimit të ofertave ishte përfshirë një person që kishte nisur marrëdhënien e punës në ISUV 21 ditë pas urdhrit për ngritjen e komisionit.
Në përfundim të reagimit, Vangjeli argumenton se kur shkeljet e ligjit dhe parregullsitë institucionale përsëriten, përgjegjësia duhet të jetë edhe politike, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.


