“Fluturimi i shqiponjës”, Bajram Peçi: Kjo është arsyeja e vërtetë pse shqiptarët mbajnë shqiponjën në flamur
Shqiponja është elementi më i rëndësishëm i identitetit dhe historisë kombëtare, por rruga e saj drejt kthimit në simbolin përbashkues të shtetit fsheh detaje të jashtëzakonshme nga koha e mesjetës.
Në një analizë të thellë të sjellë nga studiuesi Baran Peçi, përmes librit të tij “Fluturimi i shqiponjës”, zbulohet se përdorimi i këtij simboli nuk ishte thjesht një zgjedhje rastësore e princërve arbërorë, por një marrëveshje e fuqishme ushtarake dhe politike.
I ftuar në rubrikën “Një grusht librash” në emisionin “Ora e Betit, Peçi rrëfeu se gjithçka nis në fundin e shekullit të 13-të. Pas rënies së Perandorisë Romake të Lindjes (Bizantit) në vitin 1204 nga latinët, pushteti qendror u dobësua, duke u dhënë mundësi feudalëve arbërorë të forconin pozitat e tyre.
Kur perandorët Paleologë rimorën pushtetin në Kostandinopojë, ata e kthyen shqiponjën në flamurin e tyre zyrtar si mjet për ushtrimin e autoritetit. Këtë të drejtë për të mbajtur shqiponjën në stema dhe flamuj, ata ua kaluan edhe feudalëve arbërorë.
Kjo nuk ishte një dhuratë pa kushte. Familjet fisnike që mbanin shqiponjën e kishin për detyrim të ofronin ndihmë me ushtri dhe mjete ushtarake për të mbrojtur perandorinë, kryesisht kundër inkursioneve serbe që kërcënonin Ballkanin në atë kohë. Familje të njohura si Muzakajt dhe Kastriotët ishin ndër të parat që fituan këtë të drejtë, duke e kthyer flamurin me shqiponjë në një mjet dallues thelbësor në rreshtimet luftarake.
Ndonëse gjatë mesjetës shqiponja konkurronte ashpër me simbole të tjera si luani, ajo arriti të mbijetonte dhe të gdhendej thellë në botëkuptimin e elitës shqiptare.
Sot, gjurmët e këtij rrugëtimi historik gjenden të dokumentuara në emblemat feudale, pullat e postës, monedhat dhe medaljet, duke dëshmuar se si një pakt ushtarak i mesjetës u kthye në simbolin e përjetshëm të një kombi të tërë.
PJESË NGA BISEDA
Beti Njuma: Si arriti të bëhet shqiponja simbol edhe i përbashkimit të Shqipërisë?
Bajram Peçi: Është një temë e gjerë, mund të flasësh gjatë për të, por në mënyrë të përmbledhur do të filloj me përcaktimin e epokës, kohërave kur filloi shqiponja të bëhet simbol kombëtar, identitet, përfaqësues i kombit shqiptar.
Janë ndarë në libër pesë pjesë të rëndësishme që bëjnë përshkrimin e shqiponjës të përdorur në emblemat e feudalëve shqiptarë, në pullat e postës, në monedhat dhe kartëmonedhat, në medaljet shqiptare, të cilat shpjegojnë duke qenë të njëtrajtshme në lidhje, në gjithë nevojën e domosdoshme që këto fusha të rëndësishme të kulturës kombëtare të përfshinin dhe të pasqyronin shqiponjën.
Siç dihet nga historia, kuadri historik e përcakton këtë temën e shqiponjës të ardhur nga kohë të lashta, por kjo nuk ka shumë lidhje me librin, të cilin duhet ta fillojmë duke përcaktuar epokën kur kjo shqiponjë zuri vend në flamurët dhe stemat e feudalëve shqiptarë.
Duhet të pranojmë se është pothuajse fundi i shekullit të 13-të, pasi Perandoria Romake e Lindjes, ajo që u quajt më vonë Bizant, kishte rënë nën dhunën e pushtimit të latinëve në 1204.
Me humbjen e autoritetit të pushtetit qendror, u forcuan feudalët arbërorë, të cilët në fund të shekullit patën mundësi, duke përfituar nga atributi i perandorit pas rimarrjes së pushtetit në Kostandinopojë, që të vendosin shqiponjën në flamur, në stemat e tyre.
Shqiponja nuk është i vetmi totem që është përdorur në kohërat e mesjetës, ku mori formë të plotë, ka konkuruar gjithmonë me luanin dhe me simbole të tjera, por ishin perandorët Paleologë ata që e vendosën shqiponjën në flamurin e tyre.
Dhe këtë flamur, si formë të ushtrimit të pushtetit, ua jepnin atyre feudalëve të cilët kishin detyrimin, duke mbajtur shqiponjën në flamur dhe në stemat e dyerve të tyre, të ndihmonin kur të kërkohej me ushtri dhe me të gjitha mjetet në mbrojtjen e perandorisë në luftë, kryesisht në atë kohë me inkursionet serbe që zhvilloheshin në Ballkan.
Kur filluan disa prej feudalëve shqiptarë ta fitojnë këtë të drejtë të mbajtjes së shqiponjës në flamur, midis të cilëve janë Muzakajt nga të parët dhe Kastriotët, filloi të bëhet mbajtja e flamurit me shqiponjë si mjet dallues në rreshtimet luftarake.
"Një Grusht Librash" nga Beti Njuma - Bajram Peçi vjen me "Fluturimi i Shqiponjës"



