SHQIPËRIA, E VARUR NGA TURIZMI/ Visual Capitalist: Rreth 20% e ekonomisë lidhet me sektorin turistik

Shqipëria është renditur e dyta në Evropë për varësinë ekonomike nga turizmi dhe e dymbëdhjeta në botë, sipas portalit kanadez Visual Capitalist.

Rreth 20% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe e rritjes ekonomike të vendit lidhet me sektorin e turizmit.

Ndërsa mikroshteti i Andorrës renditet i pari në botë, me 71.8% të PBB-së të gjeneruar nga turizmi, Shqipëria ka shënuar një rritje të kësaj varësie me 11.4% gjatë gjashtë viteve të fundit. Këto të dhëna janë publikuar edhe në platformën informative për 200 vende të botës, The Global Economy.

Kjo prirje drejt turizmit është reflektuar edhe në rritjen e punësimit të punëtorëve të huaj në sektorin e hotelerisë, bareve dhe restoranteve.

Në raport me popullsinë dhe ekonominë, strukturat akomoduese, si edhe shërbimet e ushqimit dhe pijeve, përbëjnë gati një të katërtën e sipërmarrjeve në vend, ku një në pesë biznese operon në këtë industri.

Këto tregues e rendisin Shqipërinë në krye të Evropës, duke lënë pas vende si Greqia, Kroacia dhe Spanja.

Me zgjerimin e shërbimeve turistike dhe çmimet që mbeten ende më të ulëta krahasuar me vende të tjera të Evropës, mbi 3.6 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë periudhës janar–maj të këtij viti, jashtë fluksit të sezonit veror.

Ky numër është rritur me 8.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke zgjeruar aktivitetin turistik edhe gjatë dimrit dhe pranverës, si dhe duke forcuar prirjen drejt një turizmi gjithëvjetor.

 

 

EMISIONET