MË PAK QUMËSHT E VEZË NË 2025/ Bie numri i bagëtive dhe prodhimi bregtora. Rënie dhe prodhimi në sera

Blegtoria shqiptare vijon të tkurret, duke sjellë më pak qumësht, vezë dhe produkte të tjera ushqimore, ndërsa bagëtive dhe shpendëve ka pësuar rënie gjatë vitit 2025.  Të dhënat e instat tregojnë se edhe prodhimi bujqësor shënoi rënie të kulturave në sera dhe pemëve frutore

Gjithmonë e më pak ushqim nga prodhimi blegtoral vendas po shtrohet në tryezat e shqiptarëve.

Të dhënat më të fundit të INSTAT për vitin 2025 tregojnë se blegtoria në vend po përballet me një tkurrje të vazhdueshme, e cila po reflektohet drejtpërdrejt në prodhimin e qumështit, vezëve dhe produkteve të tjera ushqimore.

Rënia më e dukshme vihet re te qumështi, një nga produktet bazë të konsumit.

Nga mbi 1 milion tonë të prodhuara në vitin 2021, sasia e grumbulluar vitin e kaluar zbriti në më pak se 876 mijë tonë, ose rreth 130 mijë tonë më pak në vetëm pesë vite.

Vetëm gjatë vitit 2025, prodhimi i qumështit ra me mbi 8 mijë tonë, ndërsa prodhimi i vezëve u ul me 53 milionë kokrra.

Prodhimi i mishit shënoi një rritje të lehtë, duke arritur në 134 mijë tonë, por mbetet i pamjaftueshëm për të përmbushur kërkesën e tregut, i cili vijon të mbështetet te importet.

Pas këtyre shifrave qëndron rënia e numrit të bagëtive.

Goditjen më të fortë e ka pësuar numri i derrave, i cili ra me mbi 28 për qind krahasuar me një vit më parë. Në rënie janë edhe delet, dhitë dhe shpendët.

Numri i dhive u pakësua me rreth 40 mijë krerë, ndërsa delet me 36 mijë krerë.

Edhe sektori i shpendëve u godit nga gripi i shpendëve, duke humbur mbi 370 mijë pula brenda një viti.

Lajmet pozitive vijnë vetëm nga gjedhët, të cilët shënuan një rritje të lehtë, si dhe nga bletaria.

Numri i koshereve u rrit me 9.8 për qind, ndërsa prodhimi i mjaltit u shtua me rreth 360 tonë.

Edhe bujqësia nuk i shpëtoi luhatjeve. Gjatë vitit 2025 u shënua rënie e prodhimit të grurit, pemëve frutore dhe kulturave në sera. Sektori u mbështet nga rritja e perimeve të fushës dhe bostanoreve.

Fermerët shqiptarë prodhuan 9.7 milionë tonë produkte bujqësore, ku mbi 60 për qind e perimeve u kultivuan në qarqet Fier, Tiranë dhe Berat.

EMISIONET