Parlamenti hungarez shkarkon nga detyra presidentin Tamás Sulyok

Parlamenti i Hungarisë ka votuar shkarkimin nga detyra të presidentit Tamás Sulyok, i konsideruar gjerësisht si një aleat i ish-kryeministrit, Viktor Orbán, i cili humbi pushtetin në prill, pas 16 vitesh qeverisje, sipas BBC.
Partia “Tisza” e kryeministrit Péter Magyar përdori shumicën e saj prej dy të tretash në parlament, për të miratuar me shpejtësi amendamentin e 17-të të Kushtetutës.
Ky ndryshim i jep fund mandatit të Sulyok dhe largon gjithashtu kreun e Gjykatës Kushtetuese, Péter Polt.
Sulyok ka pesë ditë kohë për të firmosur amendamentin – që praktikisht shënon fundin e karrierës së tij politike – ose ta dërgojë atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Nëse ai zgjedh ta çojë çështjen në gjykatë, Magyar ka paralajmëruar se do të nisë procedurat për shkarkimin e tij, gjë që do ta pezullonte automatikisht nga detyra.
Një tjetër mundësi është që Sulyok, të japë dorëheqjen për të shmangur një krizë kushtetuese, siç i ka kërkuar qeveria e re.
Deputetët e “Fidesz” – Aleanca Qytetare Hungareze – e udhëhequr nga Viktor Orbán, tashmë në opozitë, u larguan nga salla para votimit të djeshëm, duke akuzuar partinë “Tisza” se po ndërton një regjim autoritar.
Sipas “Fidesz”, amendamenti i ri, i jep qeverisë fuqi arbitrare për të shkarkuar çdo zyrtar publik nga detyra, me efekt të menjëhershëm.
Kushtetuta e vitit 2011, e hartuar gjatë qeverisjes së Orban, vendosi parimin se “fituesi merr gjithçka”.
Gjatë periudhës 2010–2026, Fidesz riformatoi institucionet shtetërore, sipas interesave të veta dhe vendosi në poste të rëndësishme persona të afërt me partinë, duke përdorur shumicën e saj prej dy të tretash.
Amendamenti gjithashtu largon nga Gjykata Kushtetuese gjyqtarët mbi moshën 70 vjeç dhe ndalon deputetët, që kanë shërbyer tre mandate në parlament të kandidojnë sërish.
Ky rregull prek më shumë se gjysmën e deputetëve aktualë të “Fidesz”.


