Irani i përgjigjet Trump për Hormuzin: Nuk do të lejojmë ndërhyrjen e SHBA-së, çdo bashkëpunim do të konsiderohet kërcënim

Irani ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se nuk do të lejojë ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në menaxhimin e këtij korridori strategjik detar.
Komanda e Forcave të Armatosura iraniane u bëri thirrje vendeve të rajonit të mos mbështesin operacionet ushtarake amerikane, duke paralajmëruar se çdo bashkëpunim me Uashingtonin do të shihet si kërcënim ndaj sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Iranit.
“Ne nuk lejojmë dhe nuk do të lejojmë që Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit”, deklaroi Ebrahim Zolfaghari, zëdhënës i selisë qendrore ushtarake iraniane “Khatam al-Anbiya”.
Ai paralajmëroi se forcat iraniane do të reagojnë “me ashpërsi” ndaj çdo veprimi që, sipas tij, cenon sigurinë e kësaj rruge ujore strategjike.
Reagimi i Teheranit erdhi pas deklaratave të Donald Trump, i cili tha se SHBA mund të marrë rolin e garantuesit të sigurisë në Ngushticën e Hormuzit dhe se Uashingtoni duhet të kompensohet për këtë angazhim.
“Të bëhemi rojet e ngushticës dhe duhet të kompensohemi për këtë”, u shpreh Trump në një intervistë për “Fox News”.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të rëndësishme të transportit global të energjisë, ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit kanë rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm në rajonin e Gjirit.


