Komisioni i Venecias ka zbardhur axhendën e takimeve që ekspertë të delegacionit të tij do të zhvillojnë në Tiranë në datën 11 dhe 12 shtator. Ekspertët do të hartojnë një  opinion mbi kompetencat e presidentit në lidhje me proceset zgjedhore. Delegacioni parashikon takime me Presidentin, Kryeministrin, mazhorancën dhe opozitën parlamentare, ndërsa nga axhenda janë përjashtuar PD dhe LSI.  

Të martën dhe të mërkurën, Komisioni i Venecias do të zbarkojë në Tiranë, në një vizitë faktmbledhëse dhe konsultative, mbi arsyet pse kërkohet shkarkimi i presidentit Ilir Meta. 

Komisioni publikoi axhendën e takimeve që ekspertët e delegacionit do të zhvillojnë në kuadër të përgatitjes së opinionit mbi kompetencat që Presidenti ka në proceset zgjedhore.  

Ekspertët europianë kanë parashikuar të takohen në Kuvend me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës parlamentare.

Gjithashtu takime do të kenë me Presidentin, Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe përfaqësues të KQZ-së.

Ekspertët ligjorë europianë në axhendën e takimeve kanë parashikuar edhe një takim me përfaqësues të PD-së dhe LSI-së që tashmë janë jashtë Parlamentit.

Takimi është planifikuar më 10 shtator, në ora 08: 00 me dy përfaqësuesit e opozitës Oerd Bylykbashi dhe Klajda Gjosha.

Venecia vjen në Tiranë, një ditë pasi Kreu i Shtetit do të dalë para ligjvënësve në Kuvend, për tu pyetur nga  Komisioni Hetimor i ngritur për shkarkimin e tij.

Institucioni europian u vu në lëvizje nëpërmjet një letre që Kuvendi i Shqipërisë i drejtoi për t'i marrë opinion nëse Presidenti e ka shkelur Kushtetutën me dekretin për anulimin e 30 qershorit.  

Në letrën e firmosur nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Komisionit të Venecias i kërkohet opinion për 8 çështje kushtetuese, kryesisht mbi rolin që ka Presidenti në regjimet parlamentare në raport me proceset zgjedhore.

Pas vizitës në Tiranë, ekspertët e Komisionit të Venecias pritet të hartojnë një opinion paraprak, ndërsa opinioni përfundimtar do të miratohet më 12 tetor.





/Ora News.tv/