Zjarrfikësit i bashkohen mbjelles së pemëve, Veliaj: Qytetarët të nxitojnë!

Zjarrfikësit i bashkohen mbjelles së pemëve, Veliaj:

Tetë muaj më parë, si pasojë e zjarreve që prekën vendin gjatë stinës së verës, në Krrabë u dogjën një sasi pemësh, të cilat janë zëvendësuar këtë fundjavë nga zjarrfikësit e Tiranës. Duke iu bashkuar nismës për mbjelljen e pemëve, 117 efektivët e shërbimit zjarrfikës mbollën 117 rrënjë ulliri, duke e çuar në 650 numrin e pemëve të mbjella në këtë zonë.

Zjarrfikësve iu bashkua edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. “Më vjen mirë që 117 zjarrfikësit e Tiranës po mbjellin 117 pemë në një zonë si Krraba, e cila u shkretua gjatë zjarreve të verës. Fakti që zjarrfikësit kthehen jo vetëm për të shuar zjarrin, por edhe për të rimbjellë aty ku zjarri bëri dëm, është besoj fabula më e bukur e këtij qyteti: Ne rrëzohemi bashkë, por edhe ngrihemi bashkë. Në Krrabë, në total kemi mbjellë rreth 650 pemë, por jemi afër rekordit të 100 mijë pemëve. Çdo qytetar i  Tiranës që ka parë këtë energji magjike në qytet gjatë këtyre muajve, ka edhe pak ditë kohë, deri në 21 mars”, tha Veliaj.

Efektivët e shërbimit zjarrfikës i përballuan me sukses rastet e rënies së zjarreve gjatë verës, duke vendosur në rrezik, në jo pak raste, edhe jetën e tyre. Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi nismën e efektivëve, të cilët janë të parët që ndihmojnë sa herë që qytetarët kërkojnë ndihmë. “Zjarrfikësit e Tiranës, siç janë të parët që sa herë ka rrezik, një nevojë, përmbytje, zjarre, bllokime dyersh, aksidente, janë të parët edhe në këtë nevojë të qytetit për oksigjen. Një zjarrfikës e di fare mirë ç’do të thotë mungesë e oksigjenit sepse përballen me situata të vështira. Ndaj, ashtu si një zjarrfikës në momentin e vështirë kërkon oksigjen që të vazhdojë të bëjë punën, ashtu një qytet ka nevojë për oksigjen që të vazhdojë jetën”, u shpreh ai.

Veliaj siguroi se aksioni për të shtuar sipërfaqet e gjelbra në kryeqytet do të vijojë edhe përtej datës 21 mars, ditë kur bashkia do të zhvillojë një aksion të gjerë për të kurorëzuar mbjelljen e 100 mijë pemëve. “Do të vazhdojmë të mbjellim deri sa të na lejojë moti, por në datën 21 mars duam ta mbyllim me qëllimin tonë të 100 mijë pemëve. Ndaj u them të gjithë qytetarëve: nxitoni, mbillni një pemë poshtë pallatit, poshtë shtëpisë, te vendi i punës, në shkollë, në kopësht, në çerdhe, nëpër parqe, kudo ku keni mundësi për t’i dhënë më shumë oksigjen Tiranës”, tha kryebashkiaku.

Ai shtoi se investimet e kryera në Krrabë nga Bashkia e Tiranës ka sjellë gjallërimin e ekonomisë lokale. “Krraba sot është e transformuar, jo vetëm që ka një rrugë që vjen pak më shpejt, por ka edhe një ekonomi që po gëlon. Sa më shumë njerëz nga Tirana vijnë dhe zbulojnë këtë bukuri të rrallë të Tiranës rurale, aq më mirë bëhet për gjithë qytetin, aq më mirë për ekonominë vendase këtu, me çdo para të vogël modeste që lëviz prej turizmit në Krrabë”, u shpreh Veliaj.

 Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, u shpreh se sa më shumë pemë të reja i shtohen qytetit, aq më shumë oksigjen dhe jetë të shëndetshme do të kenë banorët e saj, ndërsa siguroi se nisma të tilla do të vijojnë edhe në të ardhmen. Aksionit për mbjelljen e pemëve të reja në njësinë administrative Krrabë iu bashkuan edhe studentë të Universitetit “Marin Barleti”, Gines R&M, KOKSH, si dhe nxënësit e shkollës “Nobel”.

EMISIONET