Zgjidhja sipas Gjermanisë, Bërnabiç: Dialog me ekzekutivin e ri të Kosovës

Zgjidhja sipas Gjermanisë, Bërnabiç: Dialog me ekzekutivin e ri

Kosova dhe Serbia mund të bashkëjetojnë por edhe ta njohin shtetësinë e njëra-tjetrës njësoj si dy Gjermanitë e ndara vepruan në vitin 1990. I dërguari i kancelares gjermane, Angela Merkel, thekson se zgjidhja nuk është shkëmbimi i territoreve. Kryeministrja e Serbisë thotë se dialogu mund të rinisë pasi të caktohet ekzekutivi i ri më 6 tetor në Kosovë.

Berlini propozon që mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen duke marrë për shembull bashkëjetesën e dy Gjermanive deri 3 dekada më parë.

Deputeti gjerman, Petër Bejër, raportohet t'ia ketë shpalosur idenë shtetarëve të Prishtinës dhe Beogradit.

I dërguari special i kancelares, Angela Merkël, në vizitat që mbajti javën e kaluar me kryeministrin në largim, Ramush Haradinaj, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, këmbënguli në njohjen e ndërsjellë të dy shteteve.

"Ne e dimë që një gjë e tillë është thuajse e pamundur për shkak të Kushtetutës," citohet Bejër nga mediet beogradase. "Por ekziston edhe koncepti i bashkëjetesës si ai i dy Gjermanive, të cilat gjithashtu nuk e njihnin njëra-tjetrën përpara ribashkimit. Kjo lloj bashkëjetese do të ishte e mundur edhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse ribashkimi dhe shkëmbimi i territoreve nuk janë në dëshirën tonë," përsëriti deputeti gjerman.

Çështja e dialogut Kosovë-Serbi u komentua të hënën edhe nga kryeministri i Luksemburgut përkrah homologes së tij serbe, Ana Bërnabiç.

Në një konferencë për shtyp, Ksavier Betel deklaroi se akordi dypalësh do të ishte në interesin e qytetarëve, si edhe paqes e stabilitetit të rajonit.

Ndërsa kryeqeveritarja e Serbisë, Bërnabiç, në fjalën e saj u zotua për rifillimin e dialogut me ekzekutivin e ri kosovar që do të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, nëse paraprakisht u gjendet zgjidhja pengesave aktuale, siç janë tarifat doganore kundër produkteve serbe.

EMISIONET