Debatit për zgjedhjet në Universitete i është bashkuar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili kërkon bashkëpunimin e institucioneve për të garantuar pavarësi dhe transparencë.

Kreu i shtetit thekson se ky është një proces tejet i rëndësishëm për të rinovuar autoritetet e reja dhe organet drejtuese të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Shqipëri.

Sipas Presidentit, procesi zgjedhor duhet të mishërojë parimet kushtetuese, të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera nënligjore dhe të jetë transparent e gjithëpërfshirës.

"Në kushtet specifike në të cilat ndodhemi, është shumë i rëndësishëm angazhimi dhe bashkëpunimi i të gjithë aktorëve dhe institucioneve që kanë përgjegjësi në këtë proces. Është detyrë e tyre të harmonizojnë të gjitha veprimet dhe aktet rregullatorë, në mënyrë që ky proces i ri zgjedhor të garantojë pavarësinë, autonominë, konkurrencën e lirë, transparencën dhe integritetin për të arritur një rezultat të gjithëpranuar dhe për të përmbushur objektivat e Arsimit të Lartë në Shqipëri", thuhet në deklaratën e Presidentit.

Edhe pse ministria e Arsimit ka bërë të ditur se në 12 qershor do të mbahen zgjedhjet në Universitete, nga ana e Rektoratit nuk ka një shpallje të zgjedhjeve.

Një ditë më parë, rektori Mynyr Koni me një letër publike drejtuar ministres së Arsimit Besa Shahini i kërkoi që të shtynte procesin zgjedhor.

/Ora News.tv/