Zgjedhjet në universitete do të mbahen në datë 30 korrik 2020

Zgjedhjet në universitete do të mbahen në datë 30 korrik 2020.

Ky është vendimi që ka marrë ministrja e Arsimit Besa Shahini pas propozimit të rektorëve të universiteteve.

“Javën që lamë pas, përfundoi edhe afati ligjor për gjendjen e jashtëzakonshme në vend. Por, duke marrë parasysh rritjen e rasteve të infektimeve, është akoma e paqartë se si do të rifillojë puna nëpër IAL në vjeshtë. Kështu që, për arsye të zgjidhjes së shumë çështjeve të shkaktuara si pasojë e përfundimit të mandateve të autoriteteve drejtuese në IAL, me propozim të rektorëve të universiteteve publike shpallim datën e zgjedhjeve në IAL më 30 korrik, 2020.” – thuhet në njoftimin e ministres Shahini.  

Sipas ministres universitetet kanë paraqitur prezencën e studentëve dhe pritet që të ketë një numër të madh të tyre në provime.

“Sipas raportimeve që IAL-të kanë paraqitur për prezencën e studentëve në ambientet e tyre, muaji korrik do të ketë një numër të madh studentësh të pranishëm në provime. Gjithashtu, me heqjen e kufizimeve të transportit publik, studentët dhe pedagogët mund të udhëtojnë lirisht ditën e zgjedhjeve – gjithmonë duke pasur kujdes ruajtjen e distancave fizike dhe pajisjen me mjete mbrojtëse kundër COVID-19.” – pohohet në njoftim.

Në datë 08.05.2020, zgjedhjet  në universitete u shtynë pa afat zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese në IAL për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19.

Ndërkohë universitete ngarkoheshin që të vijojnë me përgatitjet për zgjedhje dhe rektorët konfirmuan se të gjithë universitetet janë gati.

EMISIONET