Populli serb i ka dhënë për herë të tretë votëbesimin partisë së presidentit Aleksandër Vuçiç, duke i dhënë mundësinë qeverisë së tij ta drejtojë vendin thuajse pa nevojën e pakicës politike. Parlamenti i ri i Serbisë pritet të jetë më përfaqësues edhe për shqiptarët e Preshevës.

Qeveria e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, pritet të sigurojë një mandat të tretë për administrimin e vendit pas 8 viteve në pushtet.

Në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të së dielës, Koalicioni Progresist Serb fitoi mbi 62 për qind të elektoratit, duke marrë gati 190 deputetë apo afro 60 poste më shumë sesa mandatin e kaluar.

Aleatët socialistë të Ivica Daçiçit dolën të dytët me gati 11 për qind apo 32 deputetë, ndërsa Aleanca Patriotike zuri vendin e tretë me 4 deputetë nga 250 që numëron Kuvendi i Serbisë.

"Sot morëm besimin masiv të popullit, kur shumë pak e prisnin. Është edhe paralajmërim nga ana e qytetarëve për më shumë përgjegjësi, seriozitet nga ana jonë. Sot nga 3,3 milionë fletët e hedhura nga qytetarët serbë, ne kemi marrë mbi 2 milionë, që është e paprecedentë."

Rezultatet e shqiptarëve - Bazuar në shifrat paraprake, e diela rezultoi një ditë historike edhe për alternativën shqiptare në jug të Serbisë.

5 partitë politike shqiptare që garuan nën siglën e "Luginës së Bashkuar" në Preshevë siguruan gati 1 për qind të votës, që e përkthyer në mandate u lejon atyre të përfaqësohen në parlament me 3 deputetë apo 2 më shumë se në zgjedhjet e kaluara.

Votat e serbëve që votuan në komunat e Kosovës mbërritën pas mesnatës në Beograd për t'iu nënshtruar numërimit nën mbikëqyrjen e OSBE-së, megjithëse procesi u kundërshtua nga Lëvizja opozitare "Vetëvendosje".

Në zgjedhjet e fundjavës garuan 21 parti dhe koalicione serbe, por bojkotimi i procesit nga disa parti të pakicës politike ndikoi edhe në pjesëmarrje.

Më pak se gjysma e qytetarëve e qytetarëve me të drejtë u paraqitën në kutitë e votimit, ndërsa nga opozita bojkotuese nuk munguan as akuzat për manipulime.

"Serbia sot pa dyshim i tha jo regjimit të Aleksandër Vuçiçit. Bojkoti e arriti synimin tonë dhe i ekspozoi sot të gjithë se si është Serbia. Kanosje e votuesve, shitblerje votash, manipulime, votime disa herë nga individët, kërcënime nëpërmjet telefonit, të gjitha këto u raportuan në më shumë se 5 për qind të vendvotimeve."

Reagime nga Be - Nga Brukseli, Komisioneri për Zgjerimin uroi qeverinë e re që do marrë drejtimin e vendit dhe shprehu angazhimin e BE-së për ta ndihmuar Serbinë të ecë shpejt drejt anëtarësimit dhe rimëkëmbjes ekonomike në kuadër të krizës së kovidit-19.

Gjatë zgjedhjeve në Serbi, ekonomia ishte tema kryesore që mbizotëroi debatin politik, por elita qeverisëse avancoi edhe idenë e pavarësimit me kushte të Kosovës.

/Ora News.tv/