Pas kërkesës së socialistëve edhe presidenti, Ilir Meta, i është drejtuar Komisionit të Venecias me një letër, ku i kërkon mendim për mënyrën e zgjedhjes së dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Kuvendit.

Ashtu siç pritej, kreu i Shtetit Ilir Meta  me anë të një letre zyrtare kërkon opinionin e Komisionit të Venecias për zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Kuvendit.

Me anë të një statusi në facebook, zëdhënësi i Presidentit njofton se Kreu i Shtetit ka informuar Venecian për shkeljet kushtetuese dhe ligjore të Parlamentit për zgjedhjen pa garë të Elsa Toskës dhe Fiona Papajorgjit.

Tedi Blushi: Venecia gjithmonë e mirëpritur. Sot Presidenti Meta i është drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias lidhur me shkeljet kushtetuese dhe ligjore që ka bërë Kuvendi me zgjedhjet e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.Nesër do të publikohen në faqen zyrtare të Kreut të Shtetit, kërkesa e Presidentit Meta për Komisionin e Venecias dhe pyetjet konkrete drejtuar atij.

20 ditë më parë edhe Kuvendi i është drejtuar Komisionit të Venecias për të shqyrtuar dekretin e Presidentit Meta për përzgjedhjen e anëtares së gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari.

Me firmen e kryetarit të Kuvendit dhe 6 pyetjet e Komisionit Hetimor, mazhoranca pretendon se Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën duke mos thirrur Arta Vorpsin për betim dhe përzgjedhjen e e Xhaferllarit jashtë afatit ligjor.

Për të dëgjuar versionin e të gjitha palëve për debatin ligjor mbi Gjykatën Kushtetuese përfaqësuesit e Venecias pritet të mbërrijnë në Tiranë me 13-14 shkurt.

Delegacioni do të zhvillojë takime zyrtare me Presidentin Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, me deputetët e Komisionit Hetimor, me anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi si dhe me Avokatin e Popullit.

Gjithashtu të dërguarit e Komisionit do të kenë edhe takime informale me përfaqësuesit e opozitës jashtë parlamentar si dhe me OJF-në.

/Ora News.tv/