Komisioni i Venecias publikoi sot opinionin e vet  përfundimtar lidhur me interpretimin e vendimit të presidentit Ilir Meta  për të anulluar 30 qershorin si datën e zgjedhjeve vendore. Dokumenti  përmban ndryshime nga projekt-opinioni. Përfundimi sipas të cilit  Presidenti kishte tejkaluar kompetencën është hequr, dhe në një rast  tjetër është lënë hipotetike, e jo më si kontastim. Në një deklaratë të  tijën zoti Meta u shpreh se sipas tij Opinioni përfundimtar konfirmoi  qëndrimet e mbajtura prej nga ai.

Teksti i Opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias, i  publikuar sot, pësoi ndryshime të ndjeshme nga dokumenti paraprak i  ekspertëve. Në përfundimet e Opinionit, çka lidhur me veprimet e  presidentit Ilir Meta, kishte qenë më parë si konstatim, ose është  hequr, ose është lënë hipotetike, duke ka kaluar topin në dorë të  interpretimit të parlamentit apo dhe Gjykatës Kushtetuese shqiptare,  nëse deputetët do të votojnë për shkarkimin e Kreut të Shtetit.

Ndërsa në variantin e mëparshëm, në pikën 99 të përfundimeve thuhej  se “Presidenti tejkaloi kompetencat e tij sipas Kushtetutës fillimisht  duke anuluar e më pas, duke shtyrë zgjedhjet lokale..”, në Opinionin  përfundimtar kjo fjali është hequr plotësisht, duke rifomuluar pjesën në  vijim sipas së cilës “i takon parlamentit dhe në fund Gjykatës  Kushtetuese, që të përcaktojë nëse anulimi, e më pas shtyrja e  zgjedhjeve lokale, përbën një shkelje e Kushtetutës dhe nëse shkelja  është e një natyre të tillë seriose, që do të mund të lejonte shkarkimin  e Presidentit”.

Ndryshim ka pësuar dhe pika 101 e përfundimeve të Komisionit të  Venecias. Dhe këtu, konstatimi se “..Presidenti tejkaloi kompetencat e  tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë më pas zgjedhjet lokale përtej  mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, pa një bazë të veçantë  ligjore….”, është zëvendësuar në Opinionin përfundimtar me një formulim  hipotetik se “…Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat e tij  kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale përtej mandatit  zgjedhor të autoriteteve lokale pa një bazë të veçantë ligjore..”.

Në opinionin përfundimtar nuk kanë ndryshuar megjithatë konstatimet  sipas të cilave “në mungesë të një dispozite ligjore, Presidenti mund të  anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, vetëm në një  situatë e cila plotëson kriteret për marrjen e masave të  jashtëzakonshme”. Por “edhe atëherë Presidentit i duhet një bazë ligjore  specifike për të shtyrë zgjedhjet”.

Sipas edhe Opinionit përfundimtar “anulimi i zgjedhjeve është i  mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen e gjendjes  së jashtëzakonshme. Sidoqoftë, rregullat e zbatueshme kushtetuese për  situata të jashtëzakonshme nuk u ndoqën në këtë rast. Nuk pati as një  konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një baze ligjore  ad-hoc” thekson opinionin sipas të cilit “anulimi i zgjedhjeve  gjithashtu prek të drejtat zgjedhore të njohura nga instrumentet  ndërkombëtare të të drejtave të njeriut... Mungesa e një baze ligjore  dhe e alternativave në dispozicion (shtyrja e zgjedhjeve për shkak të  gjendjes së jashtëzakonshme, sipas nenit 170 të Kushtetutës, ose  rifillimi i dialogut politik pas zgjedhjeve) e bëjnë ndërhyrjen në të  drejtat zgjedhore, jo proporcionale”.

Ndërsa Opinioni paraprak, hasi në kritika të ashpra të presidentit  Iir Meta dhe një shpërfillje nga ana e tij të vendimit përfundimtar që  Komisioni pritej të merrte, sot, Kreu i shtetit, duke vënë në dukje  “ndryshimet thelbësore nga projekti paraprak” vlerësoi se Opinioni  përfundimtar “konfirmoi të gjitha qëndrimet e Presidentit të  Republikës”./ VOA

/Ora News.tv/