Zbulohet pas 34 vitesh atentatori i ish-kryeministrit të Suedisë

Zbulohet pas 34 vitesh atentatori i ish-kryeministrit të Suedisë

Suedia ka mbyllur hetimet rreth atentatit ndaj ish-kryeministrit suedez, Olof Palme, i qëlluar për vdekje më 1986-ën në Stokholm. Procesi për hetimin e vrasjes së tij është krahasuar me atë të ish-presidentit amerikan, Xhon Kenedi.

Prokurorët suedezë kanë mbyllur hetimin për vrasjen misterioze të ish-kryeministrit të vendit, Olof Palme, duke i dhënë fund një procesi kërkimor që zgjati për tri dekada.

Ish-politikani socialdemokrat, Palme, që konsiderohet arkitekt i Suedisë moderne, shërbeu në vitet 69-76 dhe rierdhi në pushtet nga 1982 deri më 1986-ën, kur do gjente vdekjen.

Ai u ekzekutua me revolver në qendër të Stokholmit me të dalë nga kinemaja me bashkëshorten dhe djalin e tij, i pashoqëruar nga forcat e sigurisë.

"Unë isha me prindërit në kinema. Kur u ndamë jashtë unë shkova te shtëpia e të dashurës, ndërsa ime më telefonoi nga spitali," tregon i biri i ish-kryeministrit suedez.

Të mërkurën, pas 34 viteve hetim, kryeprokurori i vendit njoftoi se Stig Engstrom mund të ketë qenë atentatori i mundshëm.

Engstrom, me profesion disenjator, ishte dyshuar fillimisht pasi qe një ndër personat e pranishëm në vendngjarje që sipas pretendimeve të tij kishte tentuar ta ndihmonte ish-kryeministrin.

Autori besohet se e qëlloi viktimën për shkak të bindjeve politike, ndërsa më vonë, pas vetëvrasjes së tij në vitin 2000, u zbulua se si ish-ushtarak, ishte i stërvitur me armët e zjarrit.

"Për shkak se personi ka vdekur, nuk mund t'i ngre akuza, ndaj edhe kam vendosur ta ndal hetimin. Por nga mënyra si ai veproi, besojmë se ashtu do të vepronte edhe vrasësi."

Atentati ndaj ish-kryeministrit suedez, atëkohë nxiti një sërë teorish konspirative që akuzonin CIA-n amerikane deri edhe separatistët kurdë apo agjenturën afrikanojugore si përgjegjëse për krimin.

Procesi hetimor për zbulimin e atentatorit krahasohet me atë të ish-presidentit amerikan, Xhon Kenedi, i ekzekutuar po ashtu në rrethana misterioze.

Një person me precedentë penalë i dyshuar si autori i vrasjes së Palmes u dënua gabimisht për jetë dy vite pas ngjarjes ndërsa mundi të fitonte lirinë pak muaj më pas.

EMISIONET