Zbardhet raporti i Komisionit të Ligjeve për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh socialistë  për nisjen e procedurës së shkarkimit nga detyra të presidentit të republikës, Ilir Meta.

55 deputetët çmojnë se dekreti i Presidentit për anullimin e datës së zgjedhjeve vendore, është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të një Republike Parlamentare, të funksioneve të Presidentit të parashikuara nga Kushtetuta dhe të funksionimit e të ushtrimit normal të sovranitetit të popullit.

Taulant Balla paraqiti përpara anëtarëve të komisionit rrethanat mbi të cilat bazohet  kërkesa e deputetëve, duke argumentuar se akti i nxjerrë nga Presidenti i Republikës  vjen në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të një republike parlamentare, të funksioneve të presidentit të parashikuara nga Kushtetuta dhe të funksionimit dhe të ushtrimit të sovranitetit të popullit.

Balla, në përfundim të fjalës së tij , kërkoi nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit të Republikës,  zotit Ilir Meta, duke argumentuar edhe një herë në mënyrë të përmbledhur plotësimin e kushteve të parashikuara nga neni 90, pika 2, e Kushtetutës.

Komisioni, vlerësoi se nga pikëpamja substanciale,  kërkesa e 55 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për fillimin e procedurës së shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës përmban shkaqe nga ato që parashikohen në nenin 90, pika 2 të Kushtetutës, për të legjitimuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar shkeljen e rëndë të kryer nga Presidenti i Republikës. Pjesë e hetimit duhet të jetë dhe shkresa nr.____, datë ____ e sekretares së përgjithshme të institucionit të Presidencës.

Në përfundim të mbledhjes së datës 29.06.2019, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut vendosi miratimin e raportit që do t’i paraqitet Kuvendit, duke propozuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar sipas parashikimeve të nenit 112, pika 2 të Rregullores së Kuvendit.

 

/Ora News.tv/