Në 46 faqe, Presidenti Ilir Meta i sqaron Komisionit të Venecias të gjithë situatën e krijuar në përplasje me mazhorancën në Kuvend për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në pyetjet dërguar Komisionit, Meta thotë se Parlamenti monopartiak tentoi t”i rrëmbejë kompetencat Presidentit.

Presidenti, Ilir Meta, i është drejtuar Komisionit të Venecias me një letër prej 46 faqesh, në të cilat kërkon opinion mbi zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kompetencat e Kreut të Shtetit, Kuvendit dhe KED në këtë proces.

Pyetjet drejtuar kreut të Komisioni të Venecias, Gianni Buquichio, Ilir Meta i nis me zgjerimin e objektit të punës të Komisionit Hetimor, i cili ka përfshirë edhe dekretin e tij për anëtaren e Gjykatës Kushtetuese.

Ilir Meta: A e vendos zgjerimi i paligjshëm i objektit të Komisionit Hetimor Parlamentar Presidentin nën presion politik, që të emërojë në Gjykatën Kushtetuese kandidatët e preferuar nga partia në pushtet? A përbën kjo sjellje e Kuvendit tejkalim të kompetencave kushtetuese parlamentare që lidhen me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?

Kreu i Shtetit ngre shqetësimin e ndërhyrjes së PS-së për emërime politike të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa nga ana tjetër vë në dijeni Venecian edhe për ndërhyrjen në marrëdhëniet institucionale mes Presidentit dhe KED.

Ilir Meta: Krijimi i Gjykatës Kushtetuese vetëm nga një forcë politike, pra vetëm nga një aktor politik, a përbën cenim të nenit 6 të KEDNJ-së, si një gjykatë e formuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin?

Meta kërkon të sqarojë zgjedhjen e bërë për emërimin e Marsida Xhaferllarit dhe rrezikut sipas tij që i kanoset demokracisë nga parlamenti monopartiak.

Ilir Meta: Kur parlamenti mono- partiak kërkon t’i rrëmbejë Presidentit kompetencën kushtetuese për të emëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, a  përbën rrezik që mazhoranca politike të emërojë më shumë se 1/3 e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?” Mosplotësimi i numrit minimal të 3 kandidatëve të ndryshëm për çdo vakancë nga KED, a sjell “një zgjedhje të detyruar” ose “të paracaktuar”?

Ilir Meta e mbyll letrën me pyetjet për veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke e akuzuar Ardian Dvoranin se nuk ka respektuar parimin e  paanësisë në përpilimin e listave të kandidaturave për Kushtetuesen, si dhe e akuzon që verifikimi i tyre bëhet me ndihmën e agjencive që janë në varësi të qeverisë.

/Ora News.tv/