Pas prezantimit të projektit për shembjen e banesave në Vorë dhe nisjen e procesit të rindërtimit, banorët janë ngritur këtë të hënë sërish në protestë. Ata kundërshtojnë planin e rindërtimit pasi sipas tyre ky plan prek interesat e tyre duke i marrë pronën në mënyrë të paligjshme.

Banorët e zonës së Vorës, janë rikthyer këtë të hënë në protestë para Bashkisë së Vorës, për të kundërshtuar planin e miratuar të rindërtimit. Ata vijojnë të këmbëngulin se plani rindërtues prek interesat e qytetarëve duke i marrë pronën në mënyrë të paligjshme.

''Kjo e konturuar me të verdhë është komplet zona e rindërtimit. Këto janë pallatet që kanë dalë DS5 për tu shembur, dhe të gjitha objeketet e tjera janë të padëmtuara brenda kësaj zone.''

Për dy orë ata pritën kryetarin e Bashkisë së Vorës Hekuran Brahimaj për tu takuar, i cili u premtoi që do të takohen në një moment të dytë, pasi po e ndjek çështjen tek Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.

''Mori në telefon dhe tha unë jam te AKPT-ja për momentin, dhe në momentin që do mbaroj takimin atje, krijoni një grup përfaqësie dhe do vij t'ju sqaroj.''

Banorët i kërkojnë qeverisë vendore që të paktën tu japë një dokument që vërteton shembjen e banesave dhe bizneseve të tyre, në mënyrë që ta ndjekin në mënyrë ligjore.

''Kërkojmë shpjegime në mënyrë zyrtare sepse shpjegimet në mënyrë jozyrtare, janë të ndryshme si zona do zhvillohet mbas 30 vjetësh, objektet nuk do prishen, nuk ka aq para sa të prishen.''

Plani i miratuar nga qeveria për rindërtimin në qytetin e Vorës përfshin prishjen e 11 pallateve 5-katësh të dëmtuar dhe rindërtimin e 25 pallateve të rinj 8-katësh.

/Ora News.tv/