Vllaznia nuk i trembet kundërshtarëve, Ivankoviç: Kam ardhur për titullin kampion

Vllaznia nuk i trembet kundërshtarëve, Ivankoviç: Kam ardhur

Fitorja me Tiranën e ka rritur optimizmin, por në të njëjtën kohë ka ndryshuar gjendjen psikologjike tek basketbollistët e Vllaznisë.

Të martën ato luajnë ndeshjen e radhës në Ligën Ballkanike, përballë klubit, Ibar të Rozhajës, e menjëherë më pas në fundjavë presin Teutën e Durrësit.

Trajneri i ri, kroati, Vladimir Ivankoviç tregon se parimi i tij është rritja e nivelit të lojës në skuadër, pasi synimi i Vllaznisë është titulli kampion.

"Skuadrën nuk dua ta ngarkoj shumë për këtë ndeshje. Lojtarët e mi kanë parë ndeshjet e kundërshtarit në shtëpi. Parimi im është të rrisim nivelin e lojës. Ne duam të luajmë lojën që duam ne dhe të fitojmë ndeshjen. Nëse luajmë si ndaj Tiranës, nuk ka shumë ekipe që mund të mbajnë lojën tonë. Sa i përket përballjes me Teutën, ne jemi ekipi më atletik në Shqipëri dhe nuk ka ekip që mund të na ndalë. Disa skuadra mund të kenë 5-shën më të mirë, por asnjë ekip nuk ka 12 lojtarë që mund të kontribuojnë dhe të japin maksimumin. Këtu kam ardhur për titullin kampion".

Ardhjen në Shkodër, kroati e quan një eksperiencë të mirë, ndërsa flet për situatën si e gjeti ekipin.

"Është një eksperiencë e bukur këtu në Shkodër, pas një periudhe prej më shumë se 1 viti në Islandë. Kur erdha këtu, ekipi nuk ishte mirë moralisht. Ishte si një gotë e thyer dhe duhej që këto copa të bëhen bashkë. Kemi bërë 15 orë udhëtim në Bullgari dhe ishte ditë ndeshje. Siç e keni parë edhe ju kam aktivizuar të gjithë lojtarët në të dyja ndeshjet. Shumë trajnerë thonë që kjo është e pamundur, por mund të them se të gjithë lojtarët e meritojnë të luajnë dhe do të vazhdojë këtë rrugë.Të gjithë mund  të kontribuojnë për skuadren. Ju e patë edhe ndaj Tiranës që lojtari më i mirë Perine luajti vetëm 15 minuta dhe fituam 33 pikë diferencë. Gjithashtu, Faslija nuk kishte luajtur shumë në ndeshjet e mëparshme, por në kryeqytet luajti 15 minuta dhe kemi bërë diferencën. Më e rëndësishmja është që lojtarët dhanë maksimumin në fushë".

Edhe talenti i ri, Elian Memçaj tha që tekniku i ka besuar një vend në skuadër, teksa është besimplotë që rezultatet pozitive do të vijnë në vazhdimësi.

"Unë e ndjej veten shumë mirë sepse po jap maksimumin për të fituar besimin e trajnerit. Eksperienca me të rriturit është një gjë shumë e mirë dhe aspak e vështirë sepse aktivizohem te të dy ekipet dhe marr edhe minuta për të ardhmen. Kemi më shumë besim me trajnerin e ri. Me trajnerin e ri ka ndryshuar dhe grupi, ka më shumë harmoni në ekip. Shpresojmë që të vazhdojmë kështu. Kundër Tiranës besoj se zhvilluam një lojë shumë të mirë. Luajti gjithë ekipi dhe besoj se ajo bëri diferencën. Shpresojmë që ndaj Ibar të fitojmë". 

Pas Teutës në fundjavë, Vllaznia ka edhe një ndeshje të mërkurën e ardhshme me Goga Basket për të mbyllur këtë fazë të dytë të kampionatit të basketbollit.

EMISIONET