Fuat Vjerdha: Nuk lirova Avdylajt, shkarkimi im absurd

Fuat Vjerdha: Nuk lirova Avdylajt, shkarkimi im absurd

Absurd dhe të pabazuar në argumenta ligjorë e ka cilësuar kryetari i Gjykatës së Apelit Shkodër vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që tre ditë më parë e përjashtoi nga sistemi i drejtësisë. Nga Shkodra, gjyqtari i përjashtuar theksoi se ai ka pasur në dorë shumë çështje me kleçka, mes të cilave edhe anulimin e vendimit për lirimin e një prej të akuzuarve të bandës së Avdulajve.

Tre ditë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e përjashtoi nga radhët e sistemit të drejtësisë, ish-kreu i gjykatës së Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha, e quan absurd dhe të pabazuar në argumente ligjore këtë vendim.

Shkarkimi u vendos pas dy seancash, ku u shqyrtua lehtësimi i akuzës për Sokol Mjacajn, i cili pas daljes nga burgu vrau dy turistë çekë dhe dy denoncime nga publiku.

Por sipas Vjerdhës, dosja Mjacaj u fut në proces jashtë shortit, ndërsa denoncimin sipas tij e ka bërë një avokat që ka bërë dëshmi të rremë.

Vjerdha: Ajo çështje nuk ka qenë në dosjet që kanë rënë për short për tu shqyrtuar për mua. Ajo futet.Çështja ka ekzistuar dhe ka qenë fakt i ditur, sikurse ka qenë fakt i ditur dhe për ju çështja që unë kam gjykuar për të pandehurin Dritan Dajti. A përbën fakt të njohur botërisht çështja Dajti apo nuk përbën? A përbën fakt të njohur botërisht apo jo çështja Mjacaj?

Pse merret ajo çështje që ka impakt negativ ndaj personit tim se kam qenë pjesë e atij gjykimi për vetë faktin se ky person pasi e kishte kryer dënimin e caktuar nga ne, pasi e kishte vuajtur një dënim tjetër dhe pasi kishte dalë ka vrarë dy turistë çekë.Vendimi që kemi dhënë ne në Gjykatën e Apelit Shkodër, kam marrë dhe paraqit në KPK CD me pamjet filmike gjatë zhvillimit të gjykimit të Sokol Mjacaj. 

Ka qenë gjykim model. Kemi pranu me përsërit shqyrtimin gjyqësor dhe ajo që ishte më thelbësore është se kemi krijuar një bindje se Sokol Mjacaj nuk e ka vrarë viktimën, të ndjerin e mitur 13 vjeçar.

Duke iu referuar rasteve me kleçkë që ka gjykuar, Vjerdha thotë ndër të tjera se ai ka qenë pjesë e trupit gjykues që ka anuluar vendimin për lirimin e një prej pjestarëve të Avdylajve, të përmendur së fundmi edhe në përgjimet e “Bild”.

Vjerdha: Kam qenë anëtar i trupit gjykues që kam përbërë shumicën për rrëzimin e kërkesës për lirimin e njërit nga Avdylajt.

Megjithese “viktimë” e vettingut, Vjerdha ripohon mbështetjen për reformën në drejtësi, që sipas tij ka qenë e domosdoshme për sistemin.

Vjerdha: Që në fillim kam qenë në mbështetje të reformës në drejtësi.

Në fund ai mohon të ketë marrë kërcënime apo ndonjë telefonatë të papërshtatshme pas vendimit të KPK-së, duke sqaruar se nuk ka frikë për këtë fakt, pasi çdo veprim e ka bërë sipas ligjit.

Vjerdha: Meraku im në 25 vite punë ka qenë që të mos dënoj njeri të pafajshëm.

EMISIONET