Videoskandali fut në krizë qeverinë austriake

Videoskandali fut në krizë qeverinë austriake

Numri dy i qeverisë austriake, Henc-Kristjan Shtrahe, dha dorëheqjen një ditë pas publikimit të një materiali komprometues korrupsioni.

Videoskandali ka shtyrë në krizë koalicionin qeverisës, ndërsa opozita ka kërkuar zgjedhje të reja.

Materiali filmik që është transmetuar pjesërisht nga dy media gjermane tregon politikanin 49-vjeçar duke dialoguar lirshëm në ishullin spanjoll të Ibizës në vitin 2017, pak muaj përpara zgjedhjeve kombëtare.

Në shoqërinë e tij ndodhet një e vetëquajtur oligarke ruse së cilës Shtrahe i premton favore politike dhe tenderë publikë.

Në këmbim ai i kërkon asaj të blejë aksione në një nga gazetat më të mëdha të vendit, "Kronen Cajtung", që të mund të nxjerrë lajme pozitive për partinë e tij populiste "Për Liri" përpara zgjedhjeve.

Gjatë bisedës, Shtrahe përmend edhe një plan bashkëpunimi të para 10 viteve me presidentin Vladimir Putin, ndërsa flet edhe për lidhje me investitorë në Serbi, vend të cilin e konsideron fantastik dhe mburret se atje gëzon po aq mbështetje sa presidenti rus.

Kreu i qeverisë, kancelari konservator 32-vjeçar Sebastian Kurc, tha të shtunën se do i japë fund bashkëpunimit me kolegun e tij djathtist.

Dy aleatët qeverisin vendin prej dhjetorit 2017, por skandali i koalicionit vë në pozita të vështira qëndrueshmërinë e kabinetit.

Videoskandali po hetohet edhe nga prokuroria vendëse dhe shtron edhe një herë debatin e ndikimit rus në zgjedhjet anembanë botës.

Ai vjen vetëm një javë nga zgjedhjet për parlamentin europian dhe pritet të ketë ndikim të pashmangshëm në rezultatet e partive qeverisëse. 

EMISIONET