Inter "rikthen" Alexis Sanchez dhe ngjitet në krye. Skuadra zikaltër ka shkërmoqur me rezultatin e thellë, 3-1 Sampdorian në transfertë, duke dëshmuar se është e gjitha në garë për titull.

Një super Alexis Sanchez në pjesën e parë bëri që Inter ta kishte të lehtë rrugën drejt suksesit. Kiliani devijoi saktë me shpinë një goditje të Sensi, duke i dhënë avantazhin Interit. Gjithsesi, ende pa kaluar festa e golit, Sanchez shënon të dytin. Ishte sërish dyshja, Sensi-Sanchez që bashkëpunojmë, me VAR që lë në fuqi golin.

Me rezultatin 2-0, Inter shkon e qetë drejt dhomave të zhveshjeve, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet në nisje të fraksionit të dytë. Sanchez kërkon të bëj heroin, por rrëzimi i tij në zonë cilësohet si stimulim dhe gjyqtari nuk e fal. Karton i verdhë, i dyti dhe Inter është me 10 lojtarë. Nga kjo kërkon të shpresojë Sampdoria, e cila ëndërron për pak momente.

Jankto ngushton shifrat dhe Samdporia shpreson te pikët. Gjithsesi, një gol i Gagliardini në minutën e 61-të sigloi fitoren e gjashtë zikaltër në kampionat dhe vendin e parë në Seria A me 18 pikë. Pas tyre renditet Juventusi, kundërshtari i javës së ardhshme në "Giuseppe Meazza".


/Ora News.tv/