Opozita parlamentare i ka dërguar një letër ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së, ku paralajmëron se nuk do ta votojë kodin e ri zgjedhor nëse shumica në kuvend nuk do të krijojë kushte dhe garanci për një dialog serioz për kalimin nga listat e mbyllura tek ato të hapura.

Presidenti Ilir Meta duke komentuar këtë fakt nuk e shmangu ironinë ndaj mazhorancës duke lënë të nënkuptohet se opozita parlamentare nuk do të mund ta pengojë votimin e reformës zgjedhore.

Ndërsa palët politike nuk janë të interesuara për ndryshimin e sistemit apo listat e hapura për shkak të interesave të tyre politike, edhe presidenti Ilir Meta është i mendimit se kjo çështje do të duhet të hidhet për diskutim pasi të kemi një parlament të ri legjitim.

Meta: Nuk besoj se dikush ka ndonjë dyshim që supermazhoranca aktuale nuk i ka votat e duhura për të bërë ndryshime të mira. Puna është se duhen qëllime të mira. Së dyti padyshim që sa më gjithëpërfshirës të jetë produkti aq më pozitive është për të gjithë. Fakti që reforma zgjedhore u shty për kaq kohë tregon mungesën e vullnetit për të bërë ndryshime thelbësore në sistem.

Megjithatë duke qenë se vendi është në një krizë të jashtëzakonshme  institucionale si asnjëherë tjetër përfshirë dhe Kuvendin që ka një vit e gjysmë që ka probleme me vetë përcaktimet kushtetuese që nga kuorumi dhe çështje të tjera është mjaft e rëndësishme të shkohet sa më parë të jetë e mundur në zgjedhje të gjithëpranuara për ti  dhënë fund gjithë kësaj krizës institucionale në vend dhe për tu dhënë mundësi të gjithëve të votohen dhe verifikohen nga qytetarët.

Më pas padyshim mendoj se shumë çështje të rëndësishme duhet të adresohen por do të duhet të jenë në institucionet e duhura me legjitimitetin e duhur që të marrin përsipër nisma të rëndësishme qoftë në drejtim të sistemit etj. Kemi mbetur akoma në detaje që kanë të bëjnë me numërimin dhe çështje që nuk duhet të diskutoheshin.

Deklaratat Meta i bëri gjatë një konference për mediat në Presidencë pas takimit 90 minutësh që pati me ambasadoren amerikane në Tiranë Yuri Kim.

/Ora News.tv/