Kurti i rikthehet opozitarizmit, tubim më 12 qershor për zgjedhje të reja

Kurti i rikthehet opozitarizmit, tubim më 12 qershor për zgjedhje

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se të premten, më 12 qershor, "Vetëvendosja" do të mbajë tubim në Prishtinë ku pritet të denoncohet qeveria aktuale me në krye LDK-në dhe të përsëritet thirrja për një proces të ri elektoral.

Albin Kurti, ish-kryeministër dhe njëherësh kryeopozitari i Kosovës ka paralajmëruar nisjen e protestave pak ditë nga largimi i tij nga pushteti.

Shefi i partisë "Lëvizja Vetëvendosje" njoftoi se nga e mërkura e ardhshme do të nisë një javë aksioni politik.

Ndërkohë do vazhdojë mbledhja e nënshkrimeve për peticionin që apelon për zgjedhje të reja parlamentare në vend.

"Në veçanti Qendrat tona shprehën gatishmërinë dhe interesimin që 21-vjetori i çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetori i VETËVENDOSJE!-s, të premten e ardhshme të 12 qershorit 2020, të shënohet me një tubim publik, duke e mbajtur distancën, në Sheshin 'Skënderbeu' në Prishtinë," informoi Kurti në rrjetet sociale.

Lëvizja Vetëvendosje është aktualisht partia më e madhe opozitare e cila humbi rastin më 25 mars të këtij viti të udhëheqë qeverinë e Kosovës në koalicion me Lidhjen Demokratike.

Shkak për krisjen e koalicionit u bënë divergjencat e brendshme por ato edhe me ndërkombëtarët, për sa i përket pozicionit ndaj fqinjit verior.

Një ndër vendimet e fundit politike të qeverisë Kurti ishin masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, por me të marrë detyrën, pasuesi i tij, Avdullah Hoti, e shfuqizoi këtë vendim, duke i hequr Beogradit edhe pretekstin e mosmarrjes pjesë në tryeza dialogu dypalëshe.

Vendimi u mirëprit nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të enjten e kaluar i dha Hotit nga radhët e LDK-së të drejtën e mandatit për kryeministër, zgjidhje të cilën ish-kryeqeveritari Kurti e cilëson të paligjshme.

EMISIONET