Vetëvendosje dërgon në Kushtetuese presidentin Hashim Thaçi

Vetëvendosje dërgon në Kushtetuese presidentin Hashim

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të presidentit të Hashim Thaçi, për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës dhe të komunës së Mitrovicës së Veriut.

Kërkesa është dorëzuar nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes.

"Nga gjashtë shkurti i këtij i viti, qytetarët e Komunës së Besianës vazhdojnë të privohen nga e drejta e tyre e përcaktuar me Kushtetutë për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre si kryetar të Komunës, si dhe për të pasur qeverisjen lokale që e kanë zgjedhur përmes zgjedhjeve të lira, me justifikimin se ato rrezikojnë shëndetin publik. Dje u organizuan zgjedhjet e Serbisë në Kosovë dhe me këtë rast ky justifikim ka rënë poshtë plotësisht", thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes në Facebook.

Sipas kësaj partie, përgjegjësia kushtetuese dhe ligjore e presidentit, është caktimi i datës së zgjedhjeve në afatet e përcaktuara me ligj.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, në Kosovë është shtyrë mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë në dy komuna të saj, në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut, autoritetet e Kosovës, kanë lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në mjediset me shumicë serbe në Kosovë.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 19 qershor, Zyra e presidentit të Kosovës, ka deklaruar që presidenti në mënyrë të vazhdueshme po e përcjellë ecurinë e gjendjes së krijuar me pandeminë dhe në konsultim me KQZ-në dhe institucionet shëndetësore, respektivisht IKSHPK-në, varësisht prej rrethanave, do ta marrë vendimin e duhur.

Zgjedhjet për kryetarë të komunave të Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut janë të domosdoshme për shkak se kryetarët e mëparshëm të këtyre komunave, Agim Veliu dhe Goran Rakiq, janë bërë pjesë e ekzekutivit.


EMISIONET