"Venecia": Veprimet e Metës nuk justifikojnë nisjen e procedurave të shkarkimit

"Venecia": Veprimet e Metës nuk justifikojnë nisjen e

Anulimi i zgjedhjeve të 30 qershorit nga ana e Presidentit Ilir Meta është tejkalim kompetencash, por Komisioni i Venecias mendon se procedura për shkarkimin e tij është e pajustifikuar.  Kreu i grupit socialist Taulant Balla tha se Presidenti nuk bëri asnjë përpjekje për dialog dhe me 30 qershorin shkeli Kushtetutën. Në përgjigje të tij, zëdhënësi i Kreut të Shtetit i quajti këto deklarata propagandë. 

Nisja e procedurave për shkarkimin e Presidentit mund të mos jetë e justifikuar, pasi ai nuk ka kryer shkelje të rëndë kushtetuese, pavarësisht se me anulimin e zgjedhjeve ka tejkaluar kompetencat. 

Ky është thelbi i raportit përfundimtar të Komisionit të Venecias i miratuar pas 2 orë seance plenare në prani të përfaqësuesve të PS në pozicionin e palës kërkuese dhe institucionit të Presidentit të cilët mbrojtën vendimin e Kreut të Shtetit për anulimin e 30 Qershorit.

Komisioni i Venecias: Ekspertët e Komisionit të Venecias dalin në përfundimin se, pavarësisht se Presidenti mund të ketë vepruar në tejkalim të kompetencave Kushtetuese, ka indikacione se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre sa të justifikojnë nisjen e procedurave të shkarkimit.

Sipas opinionit të miratuar sot, i cili ishte kërkuar nga kryetari i Asamblesë shqiptare Gramoz Ruci, Komisioni i Venecias vëren se Presidenti shqiptar nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik.

Komisioni i Venecias:  "Edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta ose katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhet të miratojë legjislacion ad hoc për të shtyrë zgjedhjet", thotë Komisioni.

Sipas Venecias, Komisioni Hetimor do të vendosë në favor të fajësimit, do t'i takonte Gjykatës Kushtetuese, e cila aktualisht nuk funksionon, të konfirmojë nëse vendimet e Presidentit janë me shkelje "serioze".

Nga ana tjetër Kryetari i Grupit Socialist Taulant Balla në këtë seancë plenare ka shprehur bindjen se Presidenti ka shkelur Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve lokale.

Taulant Balla: Presidenti i  Republikës nuk ka bërë asnjë përpjekje për dialog mes partive. Me anulimin e zgjedhjeve shkeli të drejtën themelore për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Pas deklaratave të Taulant Balles, zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi me anë të një statusi në Facebook i ka quajtur qesharake propozimet e kreut të grupit socialist në Komisionin e Venecias.

Tedi Blushi: Propozimet e Tao Tao-s gajasën sot të madh e të vogël në Komisionin e Venecias. Hëngri një dajak të fortë, por mënd nuk zuri, dhe vazhdon propagandën bajate me titra të porositura. I kujtoj Tao Tao-s “hurin” që mori nga raporteri i çështjes për rrjedhjen në media të Draf-Opinionit, për keqpërdorim politik.  Sa për Presidentin, çështja është e qartë si kristali: Zero shkelje të Kushtetutës.

Në Komisionin e Venecias PS përfaqësohej nga Taulant Balla, kryetari i Komisionit Hetimor Ulsi Manja, ndërsa nga në mbrojte të Presidentit dhanë argumentet e tyre, drejtori i kabinetit Arben Cici, këshilltari ligjor, Bledar Dervishi dhe këshilltarja për Integrimin, Ilda Zhulali. Të hënën pritet të publikohet i plotë raporti përfundimtar i Komisionit të Venecias.

EMISIONET