Venecia: Presidenti nuk shkarkohet, me emërimin e Xhaferllarit nuk shkeli Kushtetutën

Komisioni i Venecia i jep të drejtë Presidentit të Republikës në lidhje me rrugën e ndjekur për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Një raport paraprak i siguruar nga RTV Ora, thekson se Presidenti ka vepruar përgjithësisht në përputhje me Kushtetutën. Komisioni ndërkaq shpreh rezerva për ndryshimin e mënyrës së betimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndryshuar së fundi nga mazhoranca.

Komisioni i Venecias thotë se veprimet e ndjekura nga Presidenti i Republikës për caktimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk përbëjnë bazë për shkarkimin e tij.

RTV Ora mësoi nga burime pranë Komisionit të Venecias me seli në Strasburg, se raporti paraprak i hartuar pas analizës së fakteve, thekson se veprimet e Presidentit janë përgjithësisht të pajtueshme me interpretimin e Kushtetutës.

“Sipas interpretimit të Nenit 179 të Kushtetutës, veprimet e Presidentit (dhe të Zyrës së tij), në përgjigje të mënyrë së përcaktuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, duken të arsyeshme. Kështu, nuk ka bazë për të ngritur akuza ndaj Presidentit”, thuhet në raport.

Raporti interpreton Nenin 179 të Kushtetutës së Republikës së që thekson se “anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë.

Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”.

Ky përfundim i nxjerrë nga Komisioni, i jep të drejtë Kreut të Shtetit për përzgjedhjen e Marsida Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese.

Emërimi i saj dhe mosthirrja për betim e Arta Vorpsit të emëruar nga Kuvendi hapi një konflikt të ri mes Presidentit dhe mazhorancës, e cila për të anashkaluar Presidentin në procesin e betimit, i dha një afat Kreut të Shtetit për 10 ditë për të realizuar ceremoninë e betimit.

Pas kësaj, kandidati e dërgoi betimin në formën e shkruar në zyrën e Kreut të Shtetit.
Pikërisht për këtë ndryshim të formulës së betimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, burimet i thanë RTV Ora se anëtarët e Komisionit kanë shprehur rezerva sa i përket përputhshmërisë me Kushtetutën, ndërsa shihet me dyshim mënyra e veprimit e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, institucion ndaj të cilit Presidenti ka hedhur akuza të forta dhe ka depozituar në prokurori edhe një padi ndaj kreut të tij Ardian Dvorani.

Pritet tani versioni përfundimtar i raportit të Komisionit të Venecias, i cili do të publikohet në 22 mars, në të cilin do të mësohen më shumë hollësi në lidhje me opinionin e tyre.

EMISIONET