Ardian Dvorani ka reaguar pas zbardhjes së vendimit të KLGJ-së për largimin e tij nga detyra nga Gjykata e Lartë.

Ai deklaroi se do të bëjë një padi në Gjykatën Administrative.

Ora News siguroi vendimin e plotë të KLGJ-së për largimin e tij nga detyra.

Në këtë vendim KLGJ thekson faktin se asnjë nga gjyqtarët e rinj të Gjykatës së Lartë nuk mund ta zëvendësojë Dvoranin pasi është emëruar për një mandat të plotë kushtetues 9-vjeçar.

Por nga ana tjetër, emërimi dhe fillimi i ushtrimit të detyrës nga tre gjyqtarë të rinj në situatën e mospasjes të një pozicioni të lirë në këtë Gjykatë, që duhet të plotësohet nga rradhët e juristëve të spikatur, ka çuar në përfundimin e detyrës së Ardian Dvoranit.

''Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi t'ju njoftojë për përfundimin e detyrimit tuaj për qëndrimin në detyrë në Gjykatën e Lartë deri në emërimin e pasardhësit, sipas paragrafit 5, të nenit 136, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pasi pasardhësi juaj tashmë është emëruar'', thuhet në vendim.

Në përfundim të shkresës, KLGJ i jep një jave kohë Dvoranit, sipas ligjit, për të shprehur interesin e tij me shkrim në Këshill për t’u emëruar si gjyqtar në një Gjykatë Apeli.

"Në kushtet kur ligji, nenet 61 dhe 62 të ligjit nr. 96/2016 "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar ju njohin të drejtën për tu caktuar në nivel apeli, KLGJ ju fton të shprehen nëse do ta ushtroni këtë të drejtë me qëllim për të ndjekur procedurat përkatëse për realizimin e saj. KLGJ ju fton që qëndrimin tuaj ta parashtroni me shkrim brenda një jave".

/Ora News.tv/